Ngritet aktakuzë ndaj dy personave për fajde

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër të pandehurve me inicialet R.J. dhe H.D.

Në njoftim thuhet se të pandehurit e lartcekur me dashje dhe me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë financiare vazhdimisht kanë dhënë para me fajde me kamat mujore dukshëm jo proporcionale.

Sipas njoftimit, i pandehuri R.J., akuzohet se ka kryer veprën penale në vazhdim “Fajdeja”, ndërsa i pandehuri H.D., akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale Fajde”.

“Me këto veprime i pandehuri R.J akuzohet se ka kryer veprën penale në vazhdim ‘’Fajdeja’’  nga neni 331  paragrafi 2 të KPRK-së, ndërkaq i pandehuri H.D akuzohet se ka kryer veprën penale ‘’Ndihma në kryerjen e veprës penale Fajde’’, nga neni 331 paragrafi 2 lidhur me nenin 33 të KPRK-së”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale.