Ngritet aktakuzë ndaj Drejtorit të Urbanizmit në Gjilan

Prokuroria e Gjilanit ka ngritur aktakuzë ndaj Bekim Bajramit, Drejtor i Urbanizmit në Komunën e Gjilanit, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës, Bekim Bajrami gjatë vitit 2019, duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare, specifikisht, Drejtor në Drejtorinë për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit, në Komunën e Gjilanit, nuk ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, duke anashkaluar interesin e institucionit,

Në tej në aktakuzë thuhet se Bajrami në kundërshtim me destinimin e planifikuar sipas planit rregullues ‘’Livadhet e Arapit’’, në mënyrë të kundërligjshme ka lëshuar dy leje ndërtimore për dy kompani ndërtimi.

Prokuroria Themelore në Gjilan, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës kompetente në Gjilan, që të pandehurin ta shpallë fajtor për këtë vepër penale dhe të njëjtit t’i shqiptojë edhe dënimin plotësues, ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik.

KALLXO.com ka kontaktuar Bajramin në lidhje me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria e Gjilanit.

Bajrami ka thënë se ende nuk është i njoftuar se është ngritur aktakuzë ndaj tij.

“Nuk pasna dëgju për këtë”, tha Bajrami.

Ai është pyetur edhe nëse do të japë dorëheqje pas ngritjes së aktakuzës por ai ka thënë që fillimisht do të informohet me lëndën.

“Detyrën e kryejmë normal por s’po e di çfarë lande, së pari duhet me kqyrë lëndën se çka ka”, ka deklaruar Bajrami për KALLXO.com.