Gjimnazi 'Hamdi Berisha' - Malishevë

Ngritet aktakuzë kundër zv/drejtorit të shkollës në Malishevë, akuzohet se sulmoi seksualisht një nxënëse

Prokuroria e Gjakovës ka ngritur aktakuzë kundër zëvendësdrejtorit të gjimnazit “Hamdi Berisha” në Malishevë, i cili akuzohet se kishte sulmuar seksualisht një nxënëse të kësaj shkolle.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, e mitura pasi kishte dalë nga salla e sportit kishte shkuar në tualet.

Pas saj kishte hyrë brenda dhe i pandehuri, i cili e kishte mbyllur derën.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, i pandehuri fillimisht i ishte drejtuar të dëmtuarës me fjalë provokuese dhe më pas e kishte prek me duar në pjesë të ndryshme të trupit.

Tutje thuhet se nga këto veprime e dëmtuara ishte larguar e trishtuar dhe e frikësuar.

Prokurori i rastit i ka propozuar Gjykatës kompetente, që i pandehuri të dënohet sipas ligjit për veprën penale “Sulmi seksual”.

KALLXO.com kishte raportuar edhe më herët për këtë rast.

Asokohe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Arsimit në Malishevë, Enver Mazreku, kishte thënë për KALLXO.com se Zëvendësdrejtori i këtij gjimnazi do të përballet me masat ndëshkuese për shkak të dyshimit se i njëjti kishte ngacmuar seksualisht një nxënëse e moshës së mitur në po të njëjtën shkollë.

“Fillimisht mesa e di [zëvendësdrejtori] mund të shkojë drejt një suspendimi të përkohshëm me pagesë deri në një shqyrtim që mund të na vie nga organet kompetente për masa të tjera të cilat mund të vlejnë”, kishte thënë Mazreku.