Ngritet aktakuzë kundër tre personave për shmangie nga pagesat doganore

Prokuroria Themelore në Prizren njofton se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve:  S.E., Y.E., dhe R.E., të cilët dyshohen se kanë kryer veprën penale “Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore”.

Siç njofton Prokuroria, të pandehurit duke vepruar në bashkëveprim, në lokalet e tyre me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete iu shmangen pagesës së tarifave doganore, kryejnë bartjen e mallrave të ndryshme.

“Sipas aktakuzës, prej datës së pavërtetuar deri më datë 02.02.2022, në Prizren, të pandehurit S.E., Y.E., dhe R.E., duke vepruar në bashkëveprim, në lokalet e tyre N.T. “ E.T.”, D.P.T. “S.T.” dhe “G.S.”, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete iu shmangen pagesës së tarifave doganore, kryejnë bartjen e mallrave të ndryshme si: telefona mobil të markave të ndryshme, Usb, Sony Playstation, Hard Disk, kamera sigurie, orë dhe pjesë të telefonave, të cilat mallra i kanë futur në mënyrë ilegale në Republikën e Kosovës, duke iu shmangur deklarimit në Doganën e Kosovës, e të cilat mallra më pas i fshehin në lokacione në ndryshme” – thuhet në njoftim.

Në aktakuzë bëhet e ditur se ato mallëra më pas iu janë shitur tregtarëvë të ndryshqm në qytete të Kosovës, duke përfituar shuma të konsiderueshme materiale në vlerë të parave.

“Pastaj, këto mallra ia shesin tregtarëve të ndryshëm në qytete të ndryshme të Kosovës, duke përfituar shuma të konsiderueshme materiale në vlerë të parave, me të cilat veprime kanë bërë shmangie nga pagesat e detyrueshme doganore dhe e kanë dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në vlerë prej 17,028.50 euro (shtatëmbëdhjetëmijë e njëzetetetë euro e pesëdhjetë cent)”- thuhet në aktakuzë.

Më tej, Prokuroria njofton se nga tre të akuzuarit janë sekuestruar 42 telefona mobil dhe pajisje të tjera të tekologjisë.

“Dyzet e dy (42) telefona mobil të markave të ndryshme si: iPhone, Samsung Galaxy, Nokia etj., si dhe një numër i konsiderushëm i pajisjeve të tjera të teknoligjisë si: Usb, Sony Playstation, Hard Disk, kamera sigurie, orë etj”- bën të ditur Prokuroria.

Në komunikatë thuhet se prokurori ii çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, si dhe sendet e sekuestruara të konfiskohen.