Ngritet aktakuzë kundër dy të dyshuarve serbë për krime lufte në Kosovë
Prokuroria Speciale e Kosovës më 01.09.2024, ka ngritur aktakuzë kundër dy serbëve të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë më 1998-1999.
Sipas njoftimit, M.P dhe Zh.Z, akuzohen se gjatë kohës së luftës në Kosovë kanë kryer vrasje, torturë, trajtim çnjerëzore, frikësim, shkatërrim të pasurisë, dëbim masive dhe spastrim etnik të popullatës civile të nacionalitetit shqiptar në Komunën e Istogut.
“Po ashtu të pandehurit akuzohen për ngjarjet në familjet Salihaj, Imeraj, Lipa, Pepaj etj. Hetimet kanë zbuluar se gjatë periudhës kohore relevante për këtë aktakuzë, pati dy raste të dhunës seksuale ndaj viktimave të nacionalitet shqiptar. Gjithashtu, gjatë hetimeve u vërtetua se gjatë periudhës së luftës, në Komunën e Istogut, rreth 5 mijë shtëpi janë djegur, rreth 250 persona janë vrarë prej tyre 19 viktima fëmijë dhe shumë dëme tjera materiale”- thuhet në njoftim.
Kjo çështje penale tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për procedurë të mëtutjeshme.
Ndërsa thuhet se të pandehurit gjenden nën masën e paraburgimit sipas vendimit të Gjyqtarit të procedurës paraprake deri në një vendim të ri nga ana e gjykatës.
Nga viti 2000 deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë – UNMIK, ndërsa nga viti 2008, prej Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit – EULEX.
Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.
Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.
Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më
11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim.
Detaje për rastin e Millosheviqit mund t’i lexoni KËTU.
Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë. Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit. Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit. Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni në këtë LINK.