Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ngriten shqetësime për sigurinë e të dhënave në Agjencinë e Statistikave të Kosovës

Raporti i auditimit të performancës të teknologjisë së informacionit në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, qeverisja, menaxhimi i operacioneve dhe siguria e sistemeve u shqyrtuan sot në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike.

Në cilësinë e deputetes raportuese, gjetjet e raportit i paraqiti anëtarja e Komisionit Arta Baralija.

Sipas njoftimit të Kuvendit të Kosovës, në këtë Komisioni u tha se siguria e të dhënave mbetet shqetësuese ku më pas u dhanë sqarime nga kryeshefi ekzekutiv i ASK-së, Iliri Berisha.

Ndryshe disa nga anëtarët e Komisionit vlerësuan për efikasitetin e shpejtë në ndërmarrjen e masave. Për masat e ndërmarra kryetari Berisha u falënderua edhe nga përfaqësues të Auditorit të Përgjithshëm.

Tutje Kuvendi njofton se përfaqësuesi i ASK-së, Berisha tha se kishte bërë Planin e Veprimit për zbatim të rekomandimeve dhe nga 16 rekomandime, 9 janë përfunduar, 3 janë në proces, ndërsa 4 sosh akoma nuk janë kryer.

Kryetare e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike është deputetja Hykmete Bajrami.