Ngritën dy aktakuza kundër pesë të dyshuarve për lëndim trupor dhe kanosje ndaj dy gazetarëve

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka ngritur dy aktakuza kundër pesë personave për lëndim të lehtë trupor dhe kanosje ndaj dy gazetarëve.

Sipas njoftimit, aktakuza e parë është ngritur kundër të pandehurit L. K., i cili më 28 shtator të vitit 2020, në Veternik, në një pompë të derivate, pas një mosmarrëveshje me gazetarin F. Ç. lidhur me një hulumtim, e ka sulmuar fizikisht me çka, sipas Prokurorisë i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore.

“Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit L. K., pasi i njëjti, më 28.09.2020, në Veternik, konkretisht në pompën e derivateve “Shell”, pas një fjalosje me të dëmtuarin-gazetarin F. Ç., lidhur me një hulumtim për licencën e kompanisë, i pandehuri me dashje që t’i shkaktojë lëndime trupore të dëmtuarit e ka sulmuar fizikisht, me çka i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore, andaj aktakuza është proceduar në gjykatën kompetente për trajtim të mëtejmë, në drejtim të veprës penale “Lëndimi i lehtë trupor”, nga neni 185 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Ndërsa sipas aktakuzës së dytë, Prokuroria njofton se të pandehurit B. H., K. R., A. G. dhe A. H., më 14 dhjetor të vitit 2021 e kanë kanosur gazetarin V. K. përmes komenteve në rrjete sociale.

“Ndërsa, sipas aktakuzës së dytë, të pandehurit B. H., K. R., A. G. dhe A. H., më 14.12.2021, e kanë kanosur seriozisht të dëmtuarin-gazetarin V. K., përmes komenteve të ndryshme në rrjetet sociale, me këtë të pandehurit veç e veç kanë kryer veprën penale “Kanosja”, nga neni 181 të KPRK-së”, bëhet e ditur në njoftimin e Prokurorisë.

Tutje, Prokuroria njofton se prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit e lartcekur të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cila iu vihet në barrë.