Prokuroria Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Aktakuzë ndaj djalit të Nenad Rashiq dhe 7 personave të tjerë për rrahjen në Graçanicë

Prokuroria e Prishtinës njofton opinionin publik se është ngritur aktakuzë ndaj tetë personave duke përfshirë edhe djalin e ministrit për kthim dhe komunitete, Nenad Rashiq.

Aktakuza është ngritur për rastin e rrahjes së djalit të Nenad Rashiq, Nikolla Rashiq e cila ka ndodhur më 22 shkurt të vitit të kaluar.

“Prokurori i Shtetit, pas zhvillimit të hetimeve, mbledhjes dhe analizimit të provave, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve C. Z., L. K., B. Z., D. N.,M. J., D. R. dhe N. R., pasi në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”, nga neni 187 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe 31 të KPRK-së, ndërsa ndaj të pandehurit M.R., për shkak të veprës penale “Lëndimi i rëndë trupor”, nga neni 186 paragrafi 3, pika 3.2 lidhur me paragrafin 2, pika 2.5 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Sipas aktakuzës, më 22 shkurt 2021, rreth orës 11:00, në fshatin Llapnasellë në Graçanicë, përkatësisht në afërsi të shkollës fillore “Miladin Mitic”, i pandehuri N. R., së bashku me të pandehurit e lartcekur (shokët e tij), pas disa provokimeve me fjalë të cilat i pranon nga një i mitur, për shkak të një mosmarrëveshjeje paraprake, i mituri fillimisht e shtynë të pandehurin N. R.

Tutje sipas aktakuzës, N. R. e godet me grusht në fytyrë dhe në këtë mënyrë fillon rrahja në mes të dy grupeve të të pandehurve, ku si rezultat i rrahjes, i pandehuri N. R., pëson lëndime të rënda trupore, ku me këtë të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”, nga neni 187 të KPRK-së.

Sipas prokurorisë, po ashtu, në datën, kohën dhe vendin e njëjtë, me qëllim të shkaktimit të lëndimeve trupore gjatë rrahjes, me mjet të fortë dhe të përshtatshëm, i pandehuri M. R., e godet në fytyrë N. R., i cili si rezultat i goditjes ka pësuar lëndime të rënda trupore-me dëmtim të përhershëm të shëndetit, andaj edhe Prokurori i Shtetit, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallet fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cila iu vihen në barrë.

Për rrahjen në të cilën ishte përfshirë djali i tij, kishte folur vet ministri Rashiq i cili pati thënë se  presionet, kërcënimet ndaj tij rezultuan me rrahjen e djalit të tij.

“Pas përfundimit të shkollës, ka qenë një grup rreth 30 persona, që përveç boksave të hekurt, ata kanë pasur edhe çekiçë e thika. Unë kam pranuar që duhet ta paguaj çmimin e ideologjisë që kam, por me të vërtetë unë nuk kam pritur që djali im duhet ta paguajnë çmimin kaq jornomal”, ka thënë Rashiq në “KALLXOPernime”.

Rrahet djali i Nenad Rashiqit në Graçanicë