Ngrihet aktakuzë kundër një personi për masakrën e Izbicës
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë kundër M.A, i nacionalitetit shqiptar, me vendbanim në Beograd, shtetas i Republikës së Serbisë, nën dyshimin se ka kryer krime kundër popullatës civile në masakrën e Izbicës të ndodhur më 28 mars të vitit 1999.
Në komunikatë thuhet se hetimet 12 mujore kanë vërtetuar se i pandehuri M.A. së bashku me persona ende të pa identifikuar të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marr pjesë në ekzekutimin e 130 personave, prej të cilëve 12 kanë mbijetuar.
“Gjatë fazës së hetimeve janë siguruar prova të mjaftueshme relevante juridike që dëshmojnë dyshimin e bazuar mirë se i pandehuri i lartcekur në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marr pjesë dhe ka kontribuar në kryerjen veprës penale për të cilën po akuzohet”, thuhet në komunikatën e prokurorisë.
Gjatë hetimeve të zhvilluara nga Prokuroria Speciale, janë marr deklaratat të mbi 100 dëshmitarëve dhe të dëmtuarve të rastit. Gjithashtu, janë siguruar prova materiale si: video incizime, raporte të autopsisë dhe dëshmi të tjera, të cilat dëshmojnë se me datë 28.03.1999, në fshatin Izbicë, u vranë popullsia civile e pafajshme.
M.A. ishte arrestuar më 31 mars të vitit 2021.
I pandehuri M.A. gjendet në paraburgim deri në një vendim të ri nga ana e gjykatës.
I dyshuari M.A. është ngritur për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile’’, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ( tutje “LP-RSFJ”) si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, aktualisht i sanksionuar sipas veprës penale ‘’Krime lufte në shkelje të rëndë’’ të nenit 3 të përbashkët për konventat e Gjenevës, e sanksionuar me nenin 146 lidhur me nenin 31 të Kodit Nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës.
Në të gjithë territorin e Kosovës, gjatë periudhës së luftës u vranë rreth 14 mijë persona.
Nga viti 2000 deri në vitin 2008 krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNMIK). Nga viti 2008, hetimin e krimeve të luftës e kishte përgjegjësi Misioni Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX). Në vitin 2018 misioni i EULEX-it përfundoi procesin e dorëzimit të dosjeve te Prokuroria dhe gjykatat vendore.
Sipas EULEX-it, ky mision kishte dorëzuar 495 dosje policore të krimeve të organizuara, 434 dosje policore të krimeve të luftës, dosje policore për persona të pagjetur, dosje gjyqësore që janë shqyrtuar vetëm nga EULEX-i, dhe më shumë se 1400 dosje prokuroriale.
Organizatat vendore që monitorojnë sistemin e drejtësisë, kanë thënë se hetimi i krimeve të luftës nuk ka qenë efikas.
Një hulumtim mbi gjykimin e krimeve të luftës i publikuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në vitin 2021, ka vënë në pah se nga muaji tetor i vitit 1999 deri në qershor 2020, nga gjyqtarët e UNMIK-ut, EULEX-it dhe ata vendorë, me aktgjykime të formës së prerë janë dënuar gjithsej 40 persona. Prej tyre sipas IKD-së, 35 janë shqiptarë dhe katër serbë.