Foto: Ilustrim
Ngrihen dyshime se trupi i pajetë i gjetur në Hade ishte zhvendosur nga vendi i vdekjes
Policia e Kosovës, më 12.08.2024, raportoi se një person është gjetur pa shenja jete në një rrugë në fshatin Hade të Obiliqit. Vdekja u cilësua si e dyshimtë, për çka u tha se kanë nisur edhe hetimet.
KALLXO.com mëson nga burime brenda sistemit të drejtësisë se trupi i pajetë dyshohet se ishte zhvendosur nga vendi i ngjarjes nga dikush tjetër.
Trupi i viktimës, siç thonë burimet, ishte bartur në rrugë, disa metra larg vendit ku kishte ndodhur vdekja.
KALLXO.com posedon edhe pamje të viktimës në të cilat shihet se ai është i shtrirë në rrugë.
Në lidhje me rastin, KALLXO.com mëson se dyshimet dhe informacionet e para për Policinë ishin se viktima nuk ishte ndonjë punëtor, por një civil i cili dyshohet se kishte hyrë për të kryer vjedhje brenda një hapësire, por rasti është duke u hetuar.
KALLXO.com ka kontaktuar edhe kompaninë e sigurimit ‘Defence Security’ që sipas informacioneve ofron shërbimet e sigurimit në hapësirën e KEK-ut, ku dyshohet se ka ndodhur rasti.
Bekim Hoti nga kjo kompani konfirmoi se rasti ka ndodhur brenda hapësirës së KEK-ut, hapësirë e cila sigurohet nga kjo kompani.
“Rasti është në Prokurori duke u hetuar dhe janë organet kompetente që janë duke u marrë me këtë rast. Disa informacione, jo shumë të bazuara, janë që flitet se ai ka qenë person i dyshimtë që ka hy për me vjedh. Ka has me një pengesë aty, nuk e di saktë se çka. Tash ekzaminimet, Policia e Prokuroria i bëjnë, më shumë nuk di” – deklaroi Hoti për KALLXO.com.
Për dyshimet se rasti ka ndodhur brenda hapësirave të Korporatës Energjetike të Kosovës, KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Skender Bucollin, zëdhënës në KEK.
Në bisedën telefonike të zhvilluar më 12.08.2024, ai nuk ka dhënë informacione sa i përket këtyre dyshimeve.
“Ne në punë të Policisë nuk përzihemi. Nuk e di unë, vete Policinë, mos më vet mu. Unë nuk guxoj me u përzi në hetime të Policisë. Ne nuk përzihemi në punë të Policisë” – ka deklaruar shkurt Bucolli.
KALLXO.com ka kërkuar sqarime zyrtare edhe nga Prokuroria dhe Policia e Kosovës.
Krejt çka kanë thënë nga Prokuroria zyrtarisht më 12.08.2024, është se rasti po hetohet dhe se trupi është dërguar në IML për obduksion.
“Ju njoftojmë se me të marrë informatën nga policia, prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda ka dalë në vendin e ngjarjes. Ekipi mjekësor ka konstatuar pa shenja jete një person (mashkull), në fshatin Hade të Obiliqit. Me urdhër të prokurorit rasti është cilësuar “hetim mbi vdekje”, ndërsa trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion, me qëllim të sqarimit të rrethanave të kësaj vdekjeje” – deklaroi për KALLXO.com, Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë Themelorë në Prishtinë.
Zëdhënësja e Policisë Rajonale të Prishtinës, Flora Ahmeti ka konfirmuar rastin gjatë të hënës, më 12.08.2024.
Ahmeti ka njoftuar se rasti është raportuar në Polici rreth orës 06.00 të asaj dite.
Ajo nuk ka dhënë informacione shtesë sa i përket dyshimeve për vendin e gjetjes së trupit të viktimës dhe vendit të ngjarjes, e po ashtu edhe për informacionet tjera, duke u thirrur se rasti është duke u hetuar.
Ekipi i KALLXO.com ka kontaktuar edhe me disa të afërm të viktimës, por ata nuk kanë shprehur interesim për të folur rreth rastit.
Gjendet pa shenja jete një person në Obiliq