Foto: KALLXO.com

Ngarkohet edhe më shumë Klinika Infektive, mbi 100 pacientë me COVID-19

Gjithsej 104 pacientë janë të shtruar në Klinikën e Infektivës e 101 prej tyre sipas Ministrisë së Shëndetësisë janë me coronavirus.

Me anë të një njoftimi Ministria e Shëndetësisë ka thënë se gjatë ditës së sotme ministri Armend Zemaj ka qëndruar në Klinikën Infektive për të parë nga afër menaxhimin me numrin e rritjes së rasteve me coronavirus.

“Ministri Zemaj është informuar nga drejtori i SHSKUK-së Basri Sejdiu dhe drejtoresha e Klinikës Infektive, dr. Lindita Ajazaj-Berisha për numrin e shtuar të rasteve të hospitalizuara në këtë klinikë, ku sot kishte 104 pacientë, prej të cilave 101 të konfirmuar me Covid-19, por edhe për një numër të caktuar pacientësh, tashmë të hospitalizuar në Klinikën e Pulmologjisë, e cila bashkë me Klinikën e Dermatovenerologjisë dhe Qendrën e Mjekësisë Sportive, janë vënë në dispozicion të trajtimit të rasteve me Covid-19”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu Ministri Zemaj në këtë vizitë ka thënë se përveç stafit aktual të këtyre klinikave, një numër i profesionistëve do të angazhohen edhe përmes rekrutimit të profesionistëve shëndetësor që është në proces, por edhe përmes vullnetarëve të gatshëm për t’u angazhuar.

“Në këtë takim është diskutuar edhe për aspekte të tjera të menaxhimit klinik të rasteve me Covid-19, dhe përforcimit të shërbimeve me qëllim të përballimit të çfarëdo fluksi të pacientëve me Covid-19. Më pas Ministri ka bërë një vizitë edhe Qendrës së Mjekësisë Sportive për të parë mobilizimin e kapaciteteve në funksion të përballjes me Covid-19”, thuhet tutje në njoftim.

Nga takimi në Klinikës Infektive, profesionistët e saj, kanë kërkuar nga kolegët e tyre të Kujdesit Parësor që t’i përpunojnë rastet mjekësore ambulantore me kujdes në Klinikë të referojnë vetëm rastet me Covid-19, për të mos e ngarkuar klinikën me raste ambulantore dhe pa simptomatologji të qartë klinikë për Covid-19.

Në Kosovë gjithsej janë regjistruar 2216 raste me coronavirus. Të shëruar sipas statistikave të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik janë gjithsej 1 mijë e 69 ndërsa numri i viktimave nga coronavirus është 38.