Ngacmoi përmes rrjeteve sociale familjarët e ish të dashurit, arrestohet një grua në Gjilan

Policia e Kosovës të hënën ka arrestuar një grua e cila dyshohet se përmes rrjeteve sociale ka ngacmuar familjen e ish-të dashurit të saj.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Valon Osmani, Zyrtar për Informim i Policisë nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan.

“Njësiti i Hetimeve të Stacionit Policor Gjilan si rezultat i një pune operacionale me datën 16.01.2023 ka arrestuar një të dyshuare, kosovare shqiptare me inicialet B.G. (1990). Arrestimi është bërë pasi e njëjta dyshohet se përmes rrjeteve sociale dhe sms-ve në vazhdimësi kishte ngacmuar familjarët e viktimës (Ish të dashurit)” – ka thënë ai.

Sipas tij, pas arrestimit e dyshuara është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës.

“Në lidhje me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit i cili ndaj të dyshuarës ka lëshuar masën e ndalimit për 48 orë dhe rasti me kallëzim penal për veprën penale ,,Ngacmim” do të procedohet ne Prokurorinë Themelore” – ka thënë ai.