Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Nga viti 2022-2023 Kosova përfaqësohet me 4 skuadra në garat evropiane të futbollit

UEFA ka vendosur që nga viti i ardhshëm Kosova të përfaqësohet në garat evropiane të futbollit me 4 skuadra.

Deri para këtij vendimi, futbollin e Kosovës e kanë përfaqësuar vetëm tre ekipe, kampioni, nënkampioni dhe fituesi i Kupës së Kosovës, ndërsa me vendimin e fundit, futbolli kosovar do të dërgojë në garat evropiane edhe skuadrën e pozitës së tretë në renditjen e Superligës.

‘’Edicioni i ri i garave në futbollin kosovar, do të dërgojë në garat evropiane kampionin, nënkampionin, skuadrën e pozitës së tretë në renditjen e Superligës si dhe fituesin e Kupës së Kosovës. Ky është një lajm shumë i mirë për futbollin tonë, e për të cilin jemi angazhuar shumë me kërkesa të vazhdueshme në UEFA’’, thuhet në njoftimin e të parit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.

Po ashtu Ademi ka thënë se ky rezultat vie si rrjedhojë e punës së mirë të klubeve futbollistike kosovare, pasi përformaca e tyre ndikon direkt në koeficientin e përfaqësimit në arenën ndërkombëtare.