Nga studiues i Filozofisë në drejtues Kuvendi

Puna në Kuvend gjithmonë i ka shkuar për dore.  Që nga viti 2010, kur partia Lëvizja Vetëvendosje hyri për herë të parë në Kuvend, Glauk Konjufca ka pasur pozita udhëheqëse.

Nga viti 2011 deri në vitin 2015 ai ka qenë nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, ndërsa në legjislaturën e kaluar ka qenë shef i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje. Por, nga sot ai do t’i drejtojë seancat e organit ligjvënës.

Për këtë pozitë, ai u propozua nga shefi i partisë së tij, Albin Kurti. Pas kësaj mori 75 vota për, 29 kundër dhe 6 abstenime nga deputetët e legjislaturës së re të Kuvendit.

Në fjalimin e tij si kryekuvendar, Konjufca nuk foli shumë. Ai u zotua se do ta bëjë këtë punë me nder dhe sipas ligjeve në fuqi dhe Kushtetutës së Kosovës.

“I falënderojmë po ashtu edhe korin diplomatik, ambasadorët dhe të gjithë mysafirët që na kanë nderuar me praninë e tyre në këtë seancë konstituive, i falënderoj edhe mediat dhe gazetarët e shumtë që po i shoh atje, por mbi të gjitha unë po i bashkëngjitem urimit të juaj për qytetarët e Republikës së Kosovës sepse pa besimin e tyre nuk do të ishim as në në këto ulëse”, tha ai.

E për liderin e LVV-së, Albin Kurti emërimi i Konjufcës në këtë pozitë nuk është befasi.

Por, kush është Glauk Konjufca?

Konjufca ka përfunduar studimet në Fakultetin Filozofik, në Universitetin e Prishtinës dhe tashmë e disa vite është krahu i djathtë i liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Ai madje as nuk e la këtë parti, kur disa prej shokëve të tij u larguan dhe kaluan në partinë PSD.

Sa ishte shef i grupit parlamentar të kësaj partie, ai ishte arrestuar nga Policia e Kosovës, pasi dyshohej se ka hedhur gaz lotsjellës gjatë mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, në të cilën ishte vendosur që marrëveshja për demarkacion me Malin e Zi të dalë për votim në Kuvend më 1 shtator të vitit 2016.

Konjufca është studiues i filozofisë dhe ndërmjet shumë shkrimeve në këtë fushë, ka botuar librin “Huti i minervës fluturon në muzg G.W.F. Hegel”.

Sa është pasuria e tij?

387 mijë e 125 euro e ka vlerësuar pasurinë e paluajtshme deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca në Agjencinë Kundër Korrupsion këtë vit.

Në pasurinë e paluajtshme të Konjufcës hyjnë një banesë, një tokë, një truall, një shtëpi  në ndërtim, një shtëpi vikendi dhe një banesë tjetër.

Dy banesat janë të deklaruara në emër të Konjufcës, një tokë dhe një shtëpi në ndërtim janë të deklaruara  në emër të përbashkët dhe një truall dhe një shtëpi vikendi në emër të prindit të Konjufcës.

Pasuria e luajtshme e Konjufës vlen 3 mijë e 500 euro, pra një veturë Passat 3C të cilën e ka në emër të tij.

Konjufca ka deklaruar se mban 4 mijë euro të gatshme në institucione financiare.

Paga vjetore e Konjufcës nga Kuvendi i Kosovës është 23 mijë e 779 euro, ndërsa mëditjet 3 mijë e 11 euro.

Ai ka treguar se merr mëditje edhe nga Ministria e Diasporës për udhëtimet për Projektligjin për Diasporën në vlerë prej 1 mijë e 827 eurove.

Sot është formuar legjislatura e shtatë e Kuvendit të Kosovës, ku janë betuar deputetët e rinj, janë zgjedhur kryetari dhe nënkryetarët e këtij institucioni.

Nënkryetarë janë zgjedhur Arbërie Nagavci nga LVV, Kujtim Shala nga LDK dhe Memli Krasniqi nga PDK, Slavko Simiq nga Lista Serbe dhe Fikrim Damka nga komunitetet pakicë.

Megjithëse është formuar legjislatura e re ende nuk dihet se kur do të formohet Qeveria, ku partitë Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë duke bërë përpjekje për formimin e saj.