Nga sot online fjalori shqip - serbisht dhe anasjelltas

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës të enjten (26.09.2019) u promovua fjalori i parë shqip-serbisht dhe anasjelltas, i cili gjendet përmes platformës elektronike Voc-up.

Ky fjalor përmban rreth 20 mijë fjalë duke përfshirë edhe shumë idioma dhe neologjizma, ky projekt u përkrah nga Ambasada e Britanisë në Kosovë, IOM (International Organization for Miration) në Kosovë.

Autorët e këtij fjalori janë: Ana Sivaçki, Merima Krijezi, Qemal Murati dhe Hysen Matoshi, poashtu kontribues në këtë fjalor janë edhe disa profesorë të degës së gjuhës shqipe në Beograd.

IOM në vitin 2018 ka lansuar një program për mësimin e gjuhës shqipe dhe serbe nëpër institucione për qasje më të lehtë me qytetarët, për këtë program deri tani kanë shprehur interesim mbi 900 persona.

Në këtë panel poashtu pjesëmarrës ishin edhe ambasadori i Britanisë në Kosovë Nicholas Abbott, Zahir Tanin, përfaqësues special i Sekretarit të Përgjithshëm për Kosovën dhe Veljko Samardziç nga qendra për iniciativa sociale.

Ky fjalor nuk gjendet në formë të shtypur, qasja në të bëhet vetëm përmes platformës elektronike Voc-up.com

Në këtë debat u shpalos edhe nevoja që të rinjtë ta mësojnë gjuhën e njëri tjetrit, madje në diskutim morën pjesë edhe nënkryetari i komunës së Kamenicës Bojan Stamenkoviq, i cili tregoi edhe problemet nëpër të cilat kishte hasur nga komuniteti i tij prej kur kishte marrë këtë post, probleme te tilla shfaqën edhe disa pjesëmarrës të mediave dhe shoqërisë civile.