Nga sot nis testimi i personave të karantinuar në Qendrën e Studentëve

Që nga data 13 mars në Kosovë u konfirmuan rastet e para me COVID-19.

Si pasojë e kësaj, Qeveria e Kosovës u desh të ndërmarrë një sërë masash në mënyrë që të parandalojë përhapjen sa më të madhe të këtij virusi.

Ndër vendimet e marra nga Qeveria ishte edhe vendosja e qytetarëve të kthyer nga vendet e huaja në karantinë, masë kjo që shumë prej vendeve të huaja nuk e kanë aplikuar.

Vendosja e tyre në karantinë tek Qendra Studentore në Prishtinë nisi me datën 19 mars kurse deri më tani aty janë vendosur 493 persona

Me rekomandim të bërë nga mjekët e Mjekësisë Familjare tek konviktet janë liruar për vetizolim 53 persona, në QKUK janë transferuar dy persona prej të cilëve vetëm njëri ka rezultuar pozitiv për COVID-19, duke vazhduar kështu trajtimin në Klinikën Infektive.

Tani për tani në karantinë janë 438 persona, ndërsa prej sot pritet të fillojë testimi i atyre që kanë kaluar më shumë se 14 ditë në karantinë dhe fillon largimi i tyre prej aty.

“Deri të shtunën duhet të testohen 145 raste, ata do të lëshohen në shtëpi në vetizolim edhe 14 ditë tjera. E gjithë kjo punë është realizuar nga Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga MSH e përkrahur nga shumë ministri të qeverisë! Menaxhimi i gjithë këtyre njerëzve do të ishte i pamundur pa punën e palodhshme të stafit të Qendrës së Studentëve, Policisë së Kosovës, ekipeve mjekësore të Mjekësisë Familjare, ekipeve të palodhshme të IKSHPK, dhe një numri të madh të vullnetarëve. #rriNshpi #mbrojeveten #mbrojfamiljen #mbrojpopullin”, thuhej tutje në njoftimin e zëvendësministri i Shëndetësisë, Izet Sadiku, i cili do ta udhëheqë Qendrën e Studentëve si karantinë.

Ndryshe numri i të infektuarve me COVID-19 në Kosovë është 125 persona, një viktimë e 10 të shëruar.