Flamuri i Kosovës dhe ai i Gjermanisë

Nga sot në Gjermani hyn në fuqi ligji i ri i migracionit, ambasadori në Kosovë shpjegon çka nënkupton ky ligj

Që nga sot ka hyrë në fuqi Ligji i Migracionit në Gjermani.

Lidhur me këtë, ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, ka dhënë sqarime se çka nënkupton kjo.

“Nuk bëhet fjalë për kuota të reja për leje pune për punonjës nga Ballkani Perëndimor, por për një rregull që vlen në mbarë botën”, ka thënë ambasadori gjerman.

Tutje, ai ka sqaruar se është një rregull për fuqi punëtore të kualifikuar, e cila mund të organizojë migrimin në Gjermani në bazë të kësaj rregulle të re ligjore.

“Por, fuqi e kualifikuar punëtore do të thotë të kesh kualifikim profesional në cilin do sektor, i cili duhet të njihet në Gjermani para se të mund të parashtrohet një kërkesë për vizë. Kjo është tepër me rëndësi“, ka thënë Heldt.

“Në gjithë këtë, prioritare për ne është që kjo ndërlidhet edhe me idenë e migrimit qarkullues, që do të thotë kualifikimet e tjera, të cilat merren në Gjermani mund të barten më vonë në jetën profesionale në Kosovë për të zhvilluar edhe më tej ekonominë e këtushme. Edhe në këtë pikë Gjermania këtu në Kosovë ka një gamë të gjerë instrumentesh për të ndihmuar në rikyqjen në jetën profesionale në vend”, ka deklaruar ambasadori gjerman.

Për informacione të tjera, ambasadori ka rekomanduar të lexohet në linqet e publikuara në fund të videos.