Ministria e Financave

Nga shtatori deklarimi i anëtarësisë së sindikalistëve mund të bëhet në platformën 'E-Kosova'

Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se që nga muaji i ardhshëm të gjithë anëtarët e sindikatave, qoftë ata të arsimit, shërbyes civil, mjekë, policë apo kategori të tjera do të mund të kyçen në platformën ‘E-Kosova’ dhe të deklarojnë se në cilën sindikatë janë të anëtarësuar.

Këtë e tregoi në një konferencë për media të mbajtur sot.

Sipas tij kjo do të bëhet për ta lehtësuar punën e sindikatave dhe për ta dixhitalizuar procesin e mbledhjes së kuotës së anëtarësisë dhe t’i transferojnë mjetet në llogaritë e sindikatave.

E për këtë thotë se i kanë njoftuar edhe përfaqësuesit e BSPK-së.

“Çka kemi pa është se ka pas sindikata që kanë mbledh fonde duke mos qenë të regjistruara fare apo edhe ka anëtarë të cilët nuk janë përditësuar, ndoshta dikush nuk është më anëtar i sindikatës, por kuota vazhdon t’i mblidhet ose anasjelltas” – tha Murati.

Ai tha se janë për fuqizim të sindikatave, për bashkëpunim dhe dialog.

Ministri shtoi se dialogu është bërë nga Ministritë e Linjës, pasi që janë një mori kërkesash nga Ministria e Arsimit drejtuar Ministrisë së Financave të cilat janë përmbushur.

Nga 25 gushti, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka nisur grevën e përgjithshme në sektorin publik në vend.