Nga prokurori te politikani: Mozzik takon Bahri Hysenin e Kadri Veselin

I këndon kokainës madje me bimë narkotike bën edhe fotografi.

Djaloshi nga Ferizaji që këndon zhanrin e rep muzikës, Gramoz Aliu i njohur si ‘Mozzik’, së fundmi është parë duke u fotografuar me disa persona publikë.

Së pari ai i shkoi në zyre drejtuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni.

Hyseni është njëri prej të përmendurve pas aferës ‘Pronto’ por më vonë Prokuroria sqaroi se bëhet fjalë për një person tjetër me emër e mbiemër të njëjtë.

KALLXO.com ka kontaktuar Bahri Hysenin për ta pyetur nëse takimi me reperin e njohur si Mozzik, mund të ndikojë në imazhin e tij dhe institucionit që përfaqëson.

“Po, jam taku e kam vendas”, ka konfirmuar Hyseni.

Duke komentuar xhirimet e këngëve të tij, ai tha nuk i bëjnë shumë përshtypje.

“Po ato spotet e artistëve janë çështje të artistëve, unë e kam vendas. Nuk më intereson ajo çështje, ajo është çështje e spoteve, e kam pi një kafe me vendas”, ka thënë Hyseni.

Sipas tij, fotografimi me njerëz të cilët e promovojnë bimët narkotike nuk dëmtojnë imazhin e prokurorëve.

“Absolut, ai nuk ka asnjë procedurë dhe është vetëm një spot i një kangës, unë e kam vendas. Kaq”, ka thënë Hyseni pa dashur të sqarojë më shumë.

Mozzik dje është parë në fotografi edhe me të parin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselin.