Nga pesë raste të dhunës një familje, vetëm një person dërgohet në mbajtje

Nga pesë persona të dyshuar për dhunë në familje në dy ditët e fundit, vetëm një i dyshuar është dërguar në mbajtje.

Në raportin e Policisë së Kosovës është treguar se rastet e dhunës në familje kanë ndodhur në pesë qytetë të ndryshme në Gjakovë, Rahovec, Prishtinë, Lipjan dhe Fushë Kosovë.

I dërguari i vetëm në mbajtje është nga Fushë Kosova. Ai dyshohet se dje në orët e mbrëmjes ka sulmuar fizikisht një grua pas një mosmarrëveshje.

Ngjarja raportohet se ka ndodhur rreth orës 21:00.

“Është  arrestuar i dyshuari nën dyshimin se pas një mosmarrëveshje kishte sulmuar fizikisht viktimën grua. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, është thënë në njoftim.

Rasti tjetër i dhunës në në familje thuhet se ka ndodhur para dy ditëve në Gjakovë.

Sipas njoftimit të Policisë, më 26 qershor të këtij viti rreth orës 17:30 është arrestuar një i dyshuar pasi kishte kanosur verbalisht një grua.

Po ashtu, i arrestuari dyshohet se ka demoluar dhe shkatërruar orenditë shtëpiake.

“Me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar, rasti vazhdon në procedurë të rregullt”, ka thënë Policia.

Edhe në Rahovec fillimisht është arrestuar një burrë nën dyshimin se i njëjti, për shkak të një mosmarrëveshje ka ushtruar dhunë fizike ndaj dy grave.

Sipas PK, viktimat janë intervistuar në prezencë të zyrtarëve të Qendrës për Punë  Sociale, ndërsa i dyshuari pas intervistimit në konsultim me prokurorin është liruar në procedurë të rregullt.

Kurse në  Prishtinë një burrë tjetër është arrestuar pasi kishte sulmuar fizikisht një burrë tjetër.

Me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar, rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

Ndërkaq, në Lipjan një grua dje ka raportuar se i dyshuari ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj saj.

Sipas Policisë, njësitet policore e kanë shoqëruar të dyshuarin dhe i njëjti pas intervistimit, në konsultim me prokurorin është liruar në procedurë të rregullt.

“Po ashtu, viktima pas intervistimit nga zyrtarët e Qendrës për Punë Sociale është liruar në procedurë të rregullt. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin policor.

Statistika të frikshme: Mbi 14 mijë raste të dhunës në familje për 5 vite