FOTO:Ilustrim

Nga pamjet në rrjete sociale, policia intervenon në ahengun ku u përdorën armët

Policia e Kosovës mbrëmë ka intervenuar në një aheng familjar në fshatin Prapashticë të Prishtinës, ku dyshohej për përdorim të armëve të zjarrit.

Sipas njoftimit, policia mbrëmë pas pranimit të informacionit për të shtëna me armë, e ka trajtuar dhe ka arritur të zbulojë disa pamje në rrjete sociale, në fshatin Prapashticë në Prishtinë, gjatë një ahengu kishte pasur gjuajtje me armë zjarri nga disa persona të dyshuar.

“Policia duke ndërmarr veprime të menjëhershme, ka realizuar një plan taktik duke vendosur disa ‘pika kontrolli për automjete’  në lokacione të ndryshme, ku janë ndaluar disa vetura dhe janë kontrolluar disa persona. Të njëjtit dyshohej se po vinin nga ahengu që ishte mbajtur në fshatin Prapashticë”, thuhet në njoftim.

Policia ka bërë të ditur se gjatë  kontrollit të automjeteve, tek i dyshuari L.K., 32 vjeçar, është gjetur dhe konfiskuar një revole TT me dy karikatorë të zbrazët, tek i dyshuari E.K, 40 vjeçar, është gjetur dhe konfiskuar një revole me një karikator dhe gjashtë fishek, tek i dyshuari B.K, 32 vjeçar është gjetur dhe konfiskuar një revole GLOK 17 me dy karikatorë, njëri nga ta me kapacitet prej 30 fishekëve, dhe tek i dyshuari D.B, 52 vjeçar është gjetur dhe konfiskuar një revole me një karikator dhe nëntë fishekë.

Sipas njoftimit të policisë, dyshohet se një veturë, me qëllim të shmangies së kontrollit policor ka shfrytëzuar një rrugë alternative, por e njëjta është aksidentuar.

“Në Stacionin e Policisë Veriu është shoqëruar edhe organizatori i ahengut I.S, 32 vjeçar, të cilit i është shqiptuar tiketë për shkelje të ‘Ligjit COVID 19’.

 “Policia, ka konfiskuar katër armë të shkurta, ka kontrolluar dhe verifikuar njëzet persona që ishin në vetura, pjesëmarrës në ahengun në fjalë. Lidhur me rastin është kontaktuar prokurori, i cili ka urdhëruar që rasti të procedohet në procedurë të rregullt.