Nga numri i deritanishëm i vlerësimit të fletëvotimeve të mërgatës, mbi 25 për qind janë refuzuar

Valmir Elezi zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, tha se Shërbimi Votues i KQZ-së është duke vijuar me procesin e vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime dhe selektimin e tyre.

Elezi tha se gjatë periudhës së votimit përmes postës kanë pranuar rreth 43 mijë e 500 pako të supozuara me fletëvotime. Ky proces, sipas tij ka për qëllim të verifikojë çdo pako dhe vetëm pas disa ditësh do të mund të dihet saktë se sa është numri i fletëvotimeve nga jashtë vendit.

“Nga procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime, deri më tani nga 6 mijë e 700 zarfe me fletëvotime, janë aprovuar 4 mijë e 811 ndërsa janë refuzuar 1 mijë e 891 zarfe me fletëvotime. Arsyet se përse janë refuzuar kanë të bëjnë me faktin se ato janë dërguar nga votues të refuzuar në periudhën e aplikimit; nga votues të paidentifikuar (votim grupor); nga votues që kanë bashkangjitur dokumente jo-valide apo nga votues që kanë dërguar fletëvotime nga dy herë”, përfundoi ai.