Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Nga një muaj paraburgim për pesë personat e arrestuar për krime lufte në rajonin e Gjilanit

Gjykata Themelore në Prishtinë u ka caktuar nga një muaj paraburgim pesë serbëve që u arrestuan për krime lufte kundër popullatës civile.

Gjykata ka vlerësuar se nëse të pandehurit e arrestuar më 03.08.2024 lihen në liri, paraqitet rrezik që të njëjtit të ikin dhe të shmangen nga procedura penale, pasi janë shtetas të Republikës së Serbisë dhe mund të jenë të pakapshëm për organet e drejtësisë. Kësaj i është shtuar edhe arsyeja se mund të bëjnë përpjekje të zhdukin provat materiale e të ndikojnë në të dëmtuar ose në të pandehur të tjerë, të cilët gjenden në arrati.

Në njoftimin e Gjykatës së Prishtinës thuhet se të pandehurit D.C, D.N, M.SH, N.S dhe S.J dyshohen se në bashkëkryerje të armatosur dhe të veshur me uniforma të kamufluara dhe uniforma jo të rregullta të policisë apo ushtrisë serbe me datë 05.04.1999, në orët e para të mëngjesit, kishin ndërmarrë një aksion në fshatrat Inatoc (Kokaj), Llovcë, Pogragjë dhe Uglar.

Aty thuhet se të njëjtit me qëllim dhe dashje kishin vrarë, plagosur, djegur për së gjalli viktimat civile shqiptare, marrë peng, dhunuar, rrahur, maltretuar, torturuar fizikisht dhe psiqikisht, plaçkitur, shkatërruar pronat e shqiptarëve dhe djegien e tyre, dëbuan popullatën civile shqiptare, si dhe kishin shkatërruar dhe abuzuar objektet kulturore dhe fetare.

Kundër këtij aktvendimi, palët kanë edhe të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit.