Foto: KALLXO.com

Nga një muaj paraburgim ndaj dy të dyshuarve për vrasjen në Bibaj të Ferizajt

Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj ndaj F.R. dhe J.M., të dyshuar për vrasjen që ka ndodhur më 16.08.2024 në fshatin Bibaj të Ferizajt.

Sipas njoftimit, pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, Sahit Krasniqi, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se më 16.08.2024, rreth orës 19:26, në hyrje të parkingut të sallës së dasmave ku kishte shkuar viktima, “i pandehuri F.R, me dashje e ka privuar nga jeta viktimën”, ndërsa “J.M. i ishte vërsulur me një mjet të fortë viktimës”.

“Të pandehurit më datë 16 gusht 2024, rreth orës 19:26, në hyrje të parkingut të sallës së dasmave, në një fshatë të Komunës së Ferizajt, i pandehuri F.R., për motive të ulëta, me dashje që ta privojnë nga jeta, posa e vërejnë të ndjerin se hynë në parkingun e lartëcekur, të pandehurit secili me automjete të veta ndalën në vendin e ngjarjes, ku i pandehuri J.M., në dorë ka mbajtur një mjetë të fortë (teshlicë) dhe është vërsulur në drejtim të të ndjerit, kurse i pandehuri F.R., me armën zyrtare automatike ka shtënë disa herë në të ndjerin S.S. dhe me atë rast [ka] vënë në rrezik edhe personat tjerë të cilët kanë qenë së bashku me të ndjerin. Për pasoj i ndjeri ndërron jetë në vendin e ngjarjes”- thuhet në komunikatë.

Tutje thuhet se të njëjtëve u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.

S. Sadriu është personi që u vra më 16.08.2024, në oborrin e një salle dasmash në Bibaj të Ferizajt.

Autori i dyshuar i këtij akti është F. Ramadani, pjesëtar i Policisë së Kosovës.

Pas arrestimit në lidhje me vrasjen e S. Sadriut në Bibaj të Ferizajt, zyrtari policor F. Ramadani dhe një person tjetër për të cilin KALLXO.com mëson se është i afërm i policit, nuk janë deklaruar para hetuesve të Inspektoratit Policor dhe Prokurorisë, pra janë mbrojtur në heshtje.

KALLXO.com mëson se i dyshuari i dytë, J.M. është djali i dajës së të dyshuarit kryesor dhe se viktima ishte burri i hallës së J.M., si dhe burri i tezës së F.Ramadanit.

Zyrtari policor F.R. dyshohet se ka shtënë me armë zyrtare automatike disa herë drejt viktimës 89-vjeçar, S.S.

Prokuroria pretendon se vrasja u krye në bashkëkryerje me të pandehurin tjeter, J.M., për motive të ulëta, në hyrje të parkingut të sallës së dasmave, ku kishte qenë viktima.

Prokuroria thotë se sapo të dyshuarit vërejnë se S. Sadriu hyn në parkingun e sallës së dasmave, të dy ndalin automjetet e veta në vendin e ngjarjes, dhe J.M. me sqepar në dorë i është vërsulur viktimës, ndërsa F.R. me armë automatike ka shtënë disa herë në viktimën.

“Në hyrje të parkingut të sallës së dasmave “Fan Palace”, në rrugën “Engjëll Zefi”, në fshatin Bibaj, komuna Ferizaj, i pandehuri F.R., për motive të ulëta me dashje që ta privojnë nga jeta sapo vërejnë të ndjerin se hynë në parkingun e lartëcekur, të pandehurit secili me automjete të veta ndalën në vendin e ngjarjes, ku i pandehuri J.M., në dorë ka mbajtur në mjet të fortë (teshlicë) dhe është vërsulur në drejtim të ndjerit, kurse i pandehuri F.R.,  me armën zyrtare automatike shtënë disa herë në të ndjerin S.S” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Ferizajt më 17.08.2024.

Prokuroria ka vlerësuar se dy të dyshuarit në bashkëkryerje kryen veprën penale – vrasja e rëndë dhe kanë vënë në rrezik edhe personat e tjerë të cilët kanë qenë së bashku me të ndjerin.

Dy të dyshuarit për vrasjen në Ferizaj mbrohen në heshtje edhe para Gjykatës