Ilustrim

Nga nesër rikthehen vizitat e familjarëve në burgjet e Kosovës

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka rikthyer lejimin e vizitave të familjarëve në burgje, nga nesër (8 shkurt), pas ndalesës që ishte bërë për shkak të situatës me COVID-19.

Në njoftimin e SHKK-së thuhet se një vendim i tillë është marr në bashkëpunim me Departamentin Shëndetësor të Burgjeve, bazuar në vlerësimin e gjendjes së përgjithshme të pandemisë në vend, me qëllim të ruajtjes së shëndetit të të burgosurve dhe stafit.

Mes masave tjera, vizitat familjare për të burgosur në institucionet korrektuese lejohet për dy persona të rritur dhe një fëmijë.

Ndalimi i vizitave familjare ishte bërë nga ana e Shërbimit Korrektues të Kosovës për të parandaluar përhapjen e pandemisë brenda burgjeve.

KALLXO.com ka raportuar në lidhje me vendosjen e masave kundër përhapjes së pandemisë COVID-19 brenda burgjeve të Kosovës.

Në fillim të përhapjes së coronavirusit në Kosovë, Drejtësia në Kosovë kishte transmetuar edhe një emision në të cilin kishte trajtuar çështjen e mbrojtjes dhe funksionimit të burgjeve në kohë pandemie.

Masat lehtësuese sipas ShKK-së janë:

  1. Vizita familjare për të burgosur në institucionet korrektuese lejohet për dy persona të rritur dhe një fëmijë;
  2. Gjatë kohës së vizitës, vizitorët duhet të mbajnë maskat mbrojtëse;
  3. Secili vizitor para se të hyjë në institucionin korrektues, duhet të dëshmojë certifikatën për vaksinim me dy doza, në rast të mos vaksinimit vizitorët duhet të posedojnë testin RT-PCR negativ për COVID -19 jo me i vjetër se 48 orë;
  4. Për fëmijët nën moshën 12 vjeçare nuk kërkohet vaksinimi dhe testi për COVID 19;
  5. Lejohet shfrytëzimi i benificioneve për të dënuar (vikend në shtëpi), ndërsa në momentin e kthimit në institucion, i dënuari i cili nuk i ka marr dy dozat e vaksinimit duhet të dëshmoi testin për COVID- 19, në rast se testi rezulton pozitiv, i njëjti duhet të karantinohet në institucionin korrektues;
  6. Lejohen vizitat në lokalet e veçanta në institucionet korrektuese.