Nga nesër hapen: Çerdhet, kopshtet, restorantet, qendrat tregtare, kufijtë tokësorë...

Kryeministri në detyrë Albin Kurti pas mbledhjes së kabinetit qeveritar ka bërë të ditur se nga nesër fillon faza tjetër e lehtësimit të masave duke përfshirë hapjen e çerdheve, kopshteve, qendrave tregtare, kafiterive, restoranteve.

“Po i rihapim kopshtet dhe çerdhet për moshat nga 0-5 në institucionet publike dhe private, pastaj do bëjmë organizmin për testin e arritshmërisë, me klasat e 9-ta, organizimet për testin e maturës për klasat e 12-ta. Kthimi i nxënësve të klasave të 9-ta prej datës 8 qershor dhe kthimi i klasave të 12-ta prej datës 15 qershor dhe mbajtja e testit të maturës më 4 korrik”, tha Kurti në konferencë.

Kurti njoftoi poashtu se do të hapen edhe kufijtë tokësorë, por që personat që hynë në Kosovë duhet t’i nënshtrohen kontrolleve.

“I hapim kufijtë, por të gjithë personat që hynë në Kosovë obligohen t’i nënshtrohen kontrolleve të ekipeve mjekësore të të QKMF-ve në pikat kufitare”, tha tutje ai.

Kurti njoftoi edhe për hapjen e gastronomisë, shtimin e stafit nëpër institucione si dhe lejimin e veprimtarisë së barnatoreve.

“Hapen kafiteritë, baret, restorantet dhe qendrat tregtare. Tash nuk ekziston as reduktimi i stafit esencial në institucione publike, dhe gjithashtu e kemi shfuqizuar edhe vendimin për ushtrimin e veprimtarisë së barnatoreve”, tha ai.

Ndërsa, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se është i lumtur që po shpallet hapja e fazës së tretë.

Vitia tha se IKShPK-ja dhe Ministria e Shëndetësisë kanë bërë analiza pothuajse të përditshme të gjendjes në Kosovë dhe pas rekomandimeve nga Instituti, ato garantojnë se ekziston një rrezik i reduktuar për COVID-19.

“Falë organizimit mund të vijohet me kalendarin të publikuar në fillim të majit. Prej nesër hapen çerdhet nga 0-5 vjeç, publike dhe private. Do të hapen kufijtë tokësorë dhe pas një jave vlerësimi do të vendoset edhe për kufijtë ajror. Hapet sektori i gastronpmisë në përgjithësi, qendrat tregtare, veprimtaritë e barnatoreve dhe taksitë”, ka thënë Vitia.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë tha se të gjitha këto aktivitete janë të mundshme karshi respektimit të masave, ndërsa iu ka bërë thirrje qytetarëve të vazhdojnë të jenë bashkëpunues.

“Rreziku nuk ka kaluar, barna dhe vaksinë nuk ka akoma, rreziku që na rrethon na bën që ta organizojmë jetën me përvojën e krijuar. Vendi ynë padyshim që rrezikohet nga valët e tjera të infektimit”, deklaroi Vitia para gazetarëve.