Nga nesër bllokohet MKRS, punëtorët nisin grevë të përgjithshme

Nga dita e nesërme punëtorët e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të nisin një grevë të përgjithshme për të mos lejuar zhvendosjen e stafit të kësaj ministrie nga objekti aktual në qendër të Prishtinës.

Këshilli i protestës i punëtorëve të kësaj ministrie ka bërë të ditur sot gjatë një konference për media se janë shtrënguar të nisin grevën e përgjithshme, pas marrjes së vendimit të ministrit të Administratës Publike, Mahir Yagcilar, i cili kërkon zhvendosjen e MKRS-së.

Greva e përgjithshme e punëtorëve të MKRS-së do të nisë nesër, nga ora 8 në mëngjes dhe do të vazhdojë deri në përfundim të orarit të punës, në 16:00 për çdo ditë, derisa Qeveria ta rishqyrtojë vendimin për zhvendosje.

Këshilli grevist i punëtorëve të MKRS-së ka bërë të ditur se do të kërkojë nga gjykata masën e pezullimit të vendimin dhe do të përgatisin kallëzim penal ndaj ministrit Yagcilar për vendimin e marrë.

Labinot Berisha, kryetar i Sindikatës së punëtorëve të MKRS, ka thënë se ata janë të vendosur për të kundërshtuar vendimin e ministrit Yagcilar, dhe nga dita e nesërme do të nisin një grevë të përgjithshme në ministri.

Ai ka thënë se vendimi për zhvendosje është antiligjor pasi ende është në fuqi një vendi i marrë nga ish kryeministri Hashin Thaçi, i cili kërkonte që institucionet publike të vendosen në objekte publike.

“Prej nesër ministria do të jetë e bllokuar totalisht. Të gjitha funksionet do të paralizohen. Ne kemi informacione se do të kërkohet ndërhyrja e dhunshme, por ne nuk dëshirojmë që një gjë e tillë të ndodhë, por kërkojmë bashkëpunim institucional me të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës”, ka thënë Berisha.

Kurse, Bislim Bislimi, nga këshilli grevist, ka potencuar vendimmarrja për zhvendosjen e MKRS nga objekti aktual është antiligjor.

“Ky vendim i djeshëm i ministrit Yagcilar është në kundërshtim me vendimin e ish kryeministrit Thaçi, i cili ka fuqi më të madhe ligjore se sa vendimi i një ministri në shkuarje. Ne do të kërkojmë nga gjykata në afat sa më të shpejtë që është e mundur masën e përkohshme të pezullimit të këtij vendimi, dhe po ashtu do të përgatisim kallëzim penal ndaj ministrit Yagcilar për shkak se vendimi i tij shkakton pasoja”, ka thënë Bislimi.

Ai ka bërë të ditur do të denoncohet se çdo presion që do të mund të vijë nga zyrtarët e lartë ndaj grevistëve, pasi siç ka thënë ai greva organizohet në bazë të ligjit për grevat.

Ministri i Ministrisë së Administratës Publike, Mahir Yagcilar ka nxjerrë dje një vendim përmes së cilit obligohet MAP dhe MKRS që të bëjnë zhvendosjen e MKRS nga objekti aktual.