Nga muzika me sharkia e deri tek vrasja nga ish-zyrtari policor, rrëfehet dëshmitari i rastit

Ish-zyrtari policor Vllaznim Hamdia, i akuzuar për vrasje të rëndë ka dalur sërish para gjykatësit në Gjilan për t`u përballur me akuzën e Prokurorisë e cila atë e ngarkon me tri vepra penale, vrasje të rëndë, armë mbajtje pa leje dhe përdorim të armës.

Në seancën e sotme, u dëgjua dëshmitari Besnik Limoni, i cili tha se lidhur me këtë rast ka dhënë deklaratë në polici dhe në Prokurori dhe se mbetet pranë të njëjtave.

“Ditën kritike unë kam shkuar në fshatin Malishevë në mbrëmje, aty kemi qëndruar tek një restorant dhe kemi dëgjuar muzikë me sharkia deri në orët e vona. Paraprakisht ne jemi dëgjuar në telefon me Vllaznimin dhe e kemi lënë të takohemi aty. Aty në restorant kur kam shkuar, e kam takuar Vllaznimin i cili ishte së bashku në një tavolinë me dy persona, deri sa kemi qëndruar aty atmosfera ka qenë shumë e mirë pasi ka pasur muzikë me sharkia. Kemi qenë afër vitit të ri dhe ka pasur krisma edhe të bombicave (mjeteve piroteknike), por ka pasur edhe të shtëna me një armë dhe në bazë të lëvizjeve që kam parë me atë armë sipas meje ka gjuajtur Vllaznimi”, tha dëshmitari Limoni.

Dëshmitari tha se pasi janë marrë vesh edhe me personat e tjerë që kanë qenë aty, kanë shkuar te një lokal tjetër në Kamenicë ku kanë vazhduar të dëgjojnë muzikë.

“Tek lokali në Kamenicë, kemi shkuar shumë vonë, diku para mëngjesit. Aty unë i kam pirë dy birra, kurse Vllaznimi e di se ka pirë ujë. Kur jemi kthyer nga aty dhe duke më dërguar në shtëpi Vllaznimi, një kamion na ka goditur në veturë. Pastaj jemi ndalur dhe kemi dalur nga vetura. Shoferi i kamionit (i ndjeri), e kishte hapur dritaren dhe na u drejtua me fjalët “ku i keni sytë o qorra”, dhe unë i thash ‘hajde merremi vesh’. Pastaj ka dalur edhe Vllaznimi nga vetura dhe ka filluar të bisedoj me atë, mirëpo ata filluan me të shara dhe njëri nga ta e mori një shufër në kamion dhe deshi ta sulmoj Vllaznimin. Pastaj e kam dëgjuar një të shtënë me armë dhe shumë shpejt kanë ardhur policia”, tha në tutje dëshmitari Besnik Limoni.

Pas pyetjeve nga përfaqësuesja e palës së dëmtuar, avokatja Vlora Kadriu, dëshmitari tha se kur e ka dëgjuar krismën, e ka parë Vllaznimin duke i ngritur duart lartë dhe i akuzuari ka thënë se “kuku çka bëra”.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Gjilanit i akuzuari Vllaznim Hamdia, më 29 dhjetor 2019, rreth orës 04:50 minuta, në rrugën ‘’NATO 99’’, në Gjilan, ka privuar nga jeta të ndjerin Lulzim Spahiu.

Ngjarja sipas Prokurorisë, kishte ndodhur derisa ishte duke lëvizur me veturën e tij (i akuzuari), shkakton aksident trafiku me kamionin të cilin ishte duke e drejtuar i ndjeri Spahiu.

Tutje në dosjen e Prokurorisë thuhet se pas aksidentit, i akuzuari del nga vetura dhe pas kacafytjes, kërcënimeve dhe sharjeve mes tij, viktimës dhe djalit të viktimës, i akuzuari e nxjerrë armën e zjarrit dhe pasi viktima hyn në kamion, i njëjti afrohet tek dera e kamionit dhe me armë gjuan një herë në drejtim të tij, me ç’rast e godet nën vetullën e syrit të djathtë. I njëjti (viktima) për shkak të plagëve të marra ndërron jetë në vendin e ngjarjes.

Me këto veprime, i akuzuari Vllaznim Hamdia akuzohet se ka kryer vrasja të rëndë.

Sipas Prokurorisë së Gjilanit, i njëjti dyshohet edhe për dy vepra penale: Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, pasi që i janë gjetur edhe dy revole të tjera dhe fishekë të llojeve të ndryshme.

Vllaznim Hamdia akuzohet edhe për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm, pasi që para rastit të ndodhur, derisa ishte duke dëgjuar muzikë në një lokal në fshatin Malishevë, në brendësi të lokalit kishte shkrepur me armë zjarri.

Pas përfundimit të orarit të punës, seanca u ndërpre dhe e njëjta do të vazhdohet me 17 maj.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast:

Dëshmitari rrëfen momentin e vrasjes nga ish-zyrtari policor