Nga muaji shtator transporti publik në Spanjë do të jetë falas

Çmimet e transportit publik në shërbimet shtetërore në të gjithë Spanjën tashmë janë ulur përgjysmë si reagim të rritjes së shpejtë të normave të energjisë dhe inflacionit. Tani qeveria ka shpallur zbritje të tjera 100%.

Që nga shtatori, pasagjerët do të mund të udhëtojnë nëpër trena të ndryshëm të operuar nga rrjeti publik i trenave Renfe për çmim zero.

Kryeministri i Spanjës Pedro Sanchez ka njoftuar se biletat e shumë-udhëtimeve për trenat e operuar nga shërbimet publike të rrjetit Cercanías, Rodalies dhe Media Distance (ekuivalente me udhëtimet lokale dhe të distancave të mesme) do të jenë pa pagesë nga 1 shtatori deri në fund të këtij viti.

Sipas transmetuesit publik TVE, ky vendim i përjashton biletat e një udhëtimi ose udhëtimet në distanca të gjata. Biletat me shumë udhëtime përfshijnë të paktën 10 udhëtime vajtje-ardhje.

Kursimi i parave dhe ruajtja e mjedisit

“Ky vendim inkurajon maksimalisht përdorimin e këtij lloji të transportit publik kolektiv për të garantuar udhëtimin e nevojshëm ditor me një mjet transporti të sigurt, të besueshëm, komod, ekonomik dhe të qëndrueshëm, në kushtet e jashtëzakonshme të rritjes së vazhdueshme të çmimeve të energjisë dhe karburanteve. ”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë Spanjolle të Transportit.

Skema Renfe u njoftua menjëherë pasi qeveria spanjolle u angazhua për një ulje prej 50% të tarifave të transportit publik për transportin shtetëror.

Spanja nuk është i vetmi vend evropian që ka marrë masa për t’i ulur kostot e transportit publik.

Muajin e kaluar, Gjermania lansoi një biletë mujore të pakufizuar të transportit publik prej 9 eurosh që mund të përdoret në transportin lokal dhe rajonal në të gjithë vendin. Marrëveshja, pjesë e një pakete të ndihmës energjetike të qeverisë, është planifikuar të zgjasë deri në fund të gushtit.

Në fund të vitit 2021, Austria prezantoi një “biletë klimatike” me zbritje të madhe, e vlefshme në të gjitha mënyrat e transportit publik në vend, me qëllimin për t’i inkurajuar njerëzit që t’i lënë automjetet e tyre në shtëpi.

Klimaticket kushton vetëm 1,095 euro në vit, që nënkupton rreth 3 euro në ditë./CNN

Përgatiti: Nuhi Shala