Asfalti i dëmtuar nga shiu FOTO-Komuna e Malishevës

Nga kush dhe kur u ndërtua rruga që u copëtua nga shiu?

Reshjet e fundit të shiut dhe borës të cilat kanë përfshirë vendin patën pasoja të vërejtshme edhe në dëmtimin e rrugëve, veçanërisht rrugës e cila lidh fshtrat Rud të Malishevës dhe Sferkë të Klinës ku asfalti është bërë copë copë.

Fotografitë e dëmtimit të kësaj rruge fillimisht u publikuan nga Komuna e Malishevës, e cila më pas e fshiu postimin.

KALLXO.com ka kontaktuar me zëdhënësin e Komunës së Malishevës, Artan Paqarizi i cili ka thënë se kjo rrugë ishte shtruar në prill të vitit 2020.

Paqarizi ka shtuar se pjesa në të cilën është shkatërruar asfalti është në territor të Klinës por njoftimin e kanë bërë për të paralajmëruar qytetarët.

“ Rruga është shtruar në prill të vitit 2020, ne si Komunë e Malishevës kemi participuar me 40 mijë euro ndërsa të gjitha procedurat e tjera janë kryer nga Ministria e Infrastruktures”, tha ai.

Ndërkaq, Mirsad Dakaj, këshilltar i kryetarit të Klinës ka thënë për KALLXO.com se komuna e tyre nuk ka financuar këtë projekt.

Dakaj ka shtuar se pavarësisht që dëmi është në territorin e tyre, ata nuk mund ta bëjnë rregullimin.

“ Rruga është në territor  të Klines, po procedurat tenderuese  dhe financimit i  kanë bërë Komuna e Malishevës dhe Ministria e Infrastruktures. Komuna e Klinës nuk ka asnjë komptence as përgjigjësie në atë pjesë”, tha ai.

Rruga e cila lidh fshatrat Rud të Malishevës dhe Sferkë të Klinës kishte nisur ndërtimin më 25  tetor të vitit 2019 ndërsa ishte përuruar në prill të 2020.

Ministria e Infrastrukturës ende nuk ka kthyer përgjigje lidhur me pyetjet që kanë të bëjnë me këtë rrugë.