Nga Italia, Lorik Cana mesazh studentëve: Ndiqni aktivisht ligjëratat online

Ikona e futbollit shqiptar, Lorik Cana, i cili është edhe anëtar i Këshillit Drejtues të Kolegjit AAB, përmes një video-mesazhi u është drejtuar studentëve, duke i inkurajuar ata që të përfshihen aktivisht në ligjëratat online, të komunikojnë vazhdimisht, të informohen dhe mbi të gjitha të zbatojnë rregullat e vetizolimit duke pasur kujdes primar për shëndetin e tyre.

Ish-futbollisti dhe ish-kapiteni i kombëtares shqiptare, Lorik Cana, porosit studentët të kenë prioritet kujdesin për shëndetin dhe mos të lejojnë që kjo periudhë e vështirë për të gjithë, të krijojë pasoja në ngritjen e tyre akademike.

Ai bën thirrje për të ndjekur aktivisht ligjëratat online dhe të shfrytëzojnë këtë platformë për të qëndruar aktiv dhe të informuar lidhur me studimet, sportin, punën, shëndetin dhe shumë fusha të tjera, në mënyrë që të mbahet mendja e freskët.

Në këtë rast ai sjell edhe shembullin personal se si është duke e kaluar kohën aktualisht.

Cana apelon te studentët që të lexojnë sa më shumë, të komunikojnë dhe të kenë durim, duke shpresuar se shumë shpejt gjithçka do t’i kthehet normalitetit.