Nga Italia ekstradohet në Francë shqiptari i akuzuar për sulmin terrorist në Nice, ku u vranë 86 persona

Një shtetas shqiptar i akuzuar për furnizim me armë të terroristit tunizian që vrau 86 njerëz në sulmin terrorist të Nice, është ekstraduar sot në Francë nga Italia.

Endri Elezi dyshohet se ka ndihmuar Mohamed Lahouaiej Bouhlel, i cili përplasi kamionin e tij te turmat e njerëzve në qytetin bregdetar francez më 14 korrik, 2016, në incidentin që u bë i njohur si Sulmi i Ditës së Bastijës.

28 vjeçari Elezi u arrestua më 21 prill me një mandat nga Franca në qytezën jugore italiane Sparanize, në veri të Napolit.

I njohur gjithashtu si “Gino,” Elezi akuzohet se ka furnizuar Bouhlel me një armë automatike, sipas burimeve gjyqësore franceze.

Sulmuesi Bouhlel, u qëllua për vdekje nga policia pranë kamionit të tragjedisë në bregdetin e Nice, pasi vrau 86 njerëz dhe plagosi rreth 400 ne sulmin e rende terrorist.

Një gjykatë në Napoli ka aprovuar dje ekstradimin e Elezit drejt Francës. I akuzuari raportohet se mohonte te gjitha akuzat duke thënë se “nuk kam shitur apo furnizuar kurrë armë, dhe nuk njoh asnjë nga personat e përfshirë”. Top Channel