Nga furra e bukës në krye të qeverisë

Kur Sanna Marin u betua në detyrë të martën që lëmë pas, ajo u bë kryeministrja më e re në botë, një fakt ky që tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare këtë javë kur partia e saj Social Demokrate e zgjodhi atë si udhëheqësen e ardhshme të Finlandës.

Si kryeministre e re, Marin kryeson një qeveri që dominohet nga gjinia femërore. Katër partitë e tjera që janë pjesë e koalicionit qeverisës drejtohen nga gratë, tri prej të cilave janë, ashtu si edhe kryeministrja, më të reja se 35 vjeç.

Më herët, Sanna Marin kishte shërbyer si ministre e transportit.

Ajo kishte filluar të merret me politikë që nga mosha 20 vjeçare ndërkohë që si 27 vjeçare kishte arritur të zgjedhet, fillimisht si anëtare, e pastaj edhe si udhëheqëse e bordit në qytetin e saj Tampere.

Sana Marin ka qenë një figurë politike në rritje tash e një kohë në Finlandë dhe zgjedhja e saj në postin e ri nënkupton se ajo është kryeministrja më e re, si në historinë finlandeze po ashtu edhe në botërore.

Paraardhësi i saj, Antti Rine, dha dorëheqje me 3 dhjetor të këtij viti pas një grevë nga Shërbimi Postar Shtetëror, grevë kjo e cila pastaj u zgjerua në sektorë të tjerë.

Pakënaqësia ndaj ish kryeministrit kishte të bënte pikërisht me mënyrën se si qeveria e tij trajtoi grevën dy-javore nga punonjësit e postës. Si pasojë, edhe punëtorët e linjës ajrore kombëtare si dhe punëtorë nga sektorë shtetërorë iu bashkëngjitën grevës.

Përndryshe, kjo është hera e dytë e rënies së qeverisë në Finlandë brenda këtij viti.

Në muajin mars, e gjithë qeveria finlandeze dha dorëheqjen nga pamundësia e reformimit të sistemit të kujdesit shëndetësor dhe mirëqenies sociale që rezultoi me mbajtjen e zgjedhjeve në muajin prill 2019.

Katri Kulmuni, ministrja e financave në qeverinë e Marin është edhe më e re se vetë kryeministrja. Kolumni 32 vjeçe, është një nga katër liderët partiake që janë pjesë e koalicionit qeverisës të qendres së majtë, nga gjithsej pesë parti në koalicion. Vetëm njëra prej tyre është mbi 35 vjeç.

Qeveria e re finlandeze do të ketë 12 ministra gra dhe shtatë ministra burra, dhe kjo përbërje paraqet një shkallë të lartë të përfaqësimit të grave në politikë në nivel global, madje edhe për një vend si vetë Finlanda, e cila në vitin 1907 ishte bërë vendi i parë në botë që kishte zgjedhur një deputete femër në parlament.

Përndryshe, Sanna Marin i takon një familjeje modeste dhe prindërit e saj ishin divorcuar kur ajo ishte vetëm 12 vjeç. Ajo u rrit nga nëna e saj dhe ishin përballur me shumë probleme financiare.

Në moshën 15 vjeçare Marin kishte punuar në një furrë buke dhe kishte fituar para xhepi gjatë shkollës së mesme duke shpërndarë gazeta.

Në një intervistë në vitin 2015 në faqen e internetit Menaiset, ajo foli për “ndjenjën e turpit” me të cilin ishte përballur kur nëna e saj ishte përfshirë në një aferë me një grua. Atëherë, Marin kishte deklaruar se ndjehej e “padukshme” sepse nuk e kishte guximin të fliste hapur për familjen e saj.

Megjithatë, sipas Marin, nëna e saj i kishte dhënë asaj mbështetjen e duhur duke e siguruar atë që ajo mund të arrinte gjithçka që dëshironte.

Kryeministrja e re finlandeze është e para në familjen e saj që arriti të mbarojë shkollën e mesme dhe të ketë një diplomë kolegji.

Shumë shpejt kishte arritur progres që të bëhet pjesë e Partisë social-demokrate të Finlandës, një parti kjo e qendrës së majtë dhe brenda partisë njihet si një përfaqësuese e fortë e sistemit shoqëror finlandez.

Si deputete e zgjedhur në këtë parti, ajo shpejt tërhoqi vëmendjen e ish-kryeministrit dhe drejtuesit të partisë së saj, Rine, duke e bërë zëvendësen e tij dhe, në fakt, të preferuarën  e tij.

Dhjetorin e kaluar Rine u diagnostikua me pneumoni dhe më vonë edhe me  trombozë koronare, që nënkuptonte se ai nuk ishte në gjendje të përfshihej në fushatën zgjedhore të partisë së tij dhe pikërisht ishte ky momenti gjatë të cilit Marin arriti famën e saj. Pak kohë më pas, ish kryeministri Rine u shërua dhe, si udhëheqës partie arriti të dalë i pari në zgjedhjet e muajit prill.

Në qeverinë e re që doli pas zgjedhjeve të Prillit, Sanna Marin u zgjodh ministre e transportit dhe komunikacionit mirëpo ky post doli të jetë afatshkurtër për Marin pasi që situata në lidhje me grevën disamujorëshe të punëtorëve të postës shtetërore i kushtoi, tashmë ish kryeministrit Antti Rine, me dorëheqje.

Me datë 8 dhjetor, Sanna Marin u bë kryeministrja e re e Finlandës duke e zëvendësuar të dorëhequrin, Antti Rine.

Si një nënë e një vajze 2-vjeçare, Marin refuzoi të gjitha pyetjet në lidhje me gatishmërinë e saj për një punë të re.

“Asnjëherë nuk kam menduar për moshën dhe gjininë time. Unë thjesht po mendoja pse u futa në politikë dhe pse duhet të fitonim zgjedhjet,” ka deklaruar Sana Marin, pasi zgjedhjes si kryeministre e Finlandës.

“Finlanda nuk do të përfundojë në katër vjet, por mund të përmirësohet. Kjo është ajo që ne po punojmë. Unë dua të ndërtoj një shoqëri ku çdo fëmijë mund të bëhet çdo gjë dhe çdo njeri mund të jetojë dhe të rritet me dinjitet.” ka shkruar kryeministrja e sapozgjedhur në profilin e saj në Twitter.

Megjithatë, Marin e ka marrë postin e kryeministrit në kohën kur Finlanda kërcënohet me greva të shumta  dhe me rritje të sentimentit nacionalist, sfida këto të cilat do të jenë të vështira për të.

Një brengë shtesë është edhe fakti se partia populiste finlandeze, Finns Party,  ka arritur ti fitojë 25% të votave në nivel kombëtar.

Sanna Marin është kryeministrja e tretë femër në Finlandë. E para ka qenë Aneli Jatenmaki për një periudhë vetëm 2 mujore në vitin 2003, dhe e dyta Mari Johanna Kivinijemi nga viti 2010 deri në vitin 2011.