Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com
Nga Emergjenca flasin për gjendjen e të plagosurit në Lipjan
Një person dyshohet se është vrarë e një tjetër ka pësuar lëndime trupore në Zllakuqan të Lipjanit, sot më 07.08.2024 në 13:00h.
Gjendja e të plagosurit, sipas drejtorit të Emergjencës Naser Syla, është stabile.
Ai në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se i plagosuri është transferuar në klinikën përkatëse.
“Nuk mund të them se është jashtë rrezikut për jetë, mirëpo gjendja e tij është stabile” – tha Syla.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti tha se për rastin dy persona të dyshuar janë arrestuar.
“Rreth orës 13:00, policia ka marrë informatën për një vrasje që ka ndodhë në fshatin Zllakuqan të Lipjanit. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen” – tha ajo.
Sipas zëdhënëses bazuar në informacionet e para janë ngritur dyshimet se një mosmarrëveshje mes disa personave ka rezultuar me plagosjen e rëndë të dy personave, dyshohet me mjet të mprehtë thikë.
Tutje e njëjta shtoi se njëri nga personat e lënduar ka vdekur, ndërsa i lënduari tjetër është dërguar për tretman mjekësor.
Ahmeti tha se vdekjen e viktimës, rreth 57-vjeç, e ka konstatuar ekipi mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Magure.
Zëdhënësja tha se aktualisht hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit.
Një i vrarë në Lipjan, arrestohen dy persona