Qeveria Hoti - Foto: ZKM

Nga e hëna, qytetarët që hynë në Kosovë nuk do të vetizolohen për 7 ditë

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që nga e hëna qytetarët që hynë në Kosovë nuk do t’i nënshtrohen vetizolimit 7 ditor.

Ky vendim është miratuar pas propozimit të ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Zemaj ka shtuar se këta qytetarë do t’i nënshtrohen kontrollit të detajuar në pikat kufitare.

“Ministria e Shëndetësisë me IKShP nga aktiviteti ditor ka konstatuar situatë të qëndrueshme me rritje të vogël, lehtësimin e masave e kanë kuptuar si shuarje. Virusi është aktiv dhe kërkon zbatim të rekomandimeve. Duke u bazuar në analizën, IKShP ka rekomanduar ndryshim dhe lehtësim të masave e masat janë si në vijim: kontrollin e detajuar për të gjithë që hynë në Kosovë, me marrje të adresave, numrit të kontaktit, kontrolli kryhet sipas rekomandimeve të OBSh-së, andaj që nga e hëna propozoj që qytetarët që hyjnë në Kosovë nuk do t’i nënshtrohen vetizolimin 7 ditor, por kontrolli mjekësor kryhet në kufi dhe në qendrat e mjekësisë familjare nëpër komuna”, ka thënë Zemaj në fjalën e tij.

Propozimit të ministrit Zemaj iu shtuan edhe dy pika me propozim të kryeministrit Avdullah Hoti.

“Propozoj dy pika shtesë, propozoj pika 3 të jetë, që deri më 12 qershor, MSh të miratojë manualin për mbrojtje, ku specifikohen të gjitha detajet për punën në ndërmarrje dhe institucione, në vend të punës, veprimtari të karakterit publik. Pika 4 të jetë që MSh autorizohet që të nisë punën e rekrutimit të 200 specialistëve që do të mbikëqyrin hartimin e manualit”, propozoi Hoti.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Albulena Balaj-Halimaj u kërkoi falje qytetarëve të Shqipërisë.

“Kërkojmë falje qytetarëve të Republikës së Shqipërisë që kanë qenë të irrituar kur kanë parë që kufiri me Serbinë ka qenë i hapur e me Shqipërinë jo. I kërkoj falje edhe Policisë së Kosovës që kanë hasur në vështirësi në zbatimin e masave”, ka thënë Balaj-Halimaj.

Me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për shfuqizimin e pikave të vendimit të Qeverisë të datës 31 maj 2020, në të cilat është përcaktuar që:

– Të gjithë personat që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, dhe kanë në posedim rezultatin negativ të testit për COVID-19, jo më të vjetër se 4 ditë, nuk ju nënshtrohen procedurave të vetizolimit;

– Ata që nuk kanë testin, detyrohen të vetizolohen për 7 ditë;

– Qytetarët që manifestojnë shenja klinike udhëzohen nga profesionistët shëndetësorë në pikat kufitare; dhe

– Deri më datën 20 qershor do të bëhet rivlerësimi i situatës epidemiologjike dhe me këtë do të reflektohen masa të reja lidhur me pikat kufitare dhe hyrjen e qytetarëve në Republikën e Kosovës.