Nga e hëna lëshohet një linjë treni në Kosovë

Menaxhmenti i Hekurudhave të Kosovës Trainkos Sh.A ka njoftuar se që nga e hëna do të lëshojë në qarkullim linjën hekurudhore, Prishtinë – Pejë – Prishtinë.

“Menaxhmenti i Hekurudhave të Kosovës Trainkos Sh.A ka vendosur që të lëshojë në qarkullim linjën e transportit të udhëtarëve në relacionin Prishtinë – Pejë – Prishtinë me një tren ditor i cili niset nga Peja në orën 05:32 dhe nga Prishtina në orën 16:30 duke filluar nga data 18.05.2020”, thuhet në njoftimin e kompanisë.

Ky vendim i menaxhmetit vie pasi që nga e hëna do të fillojë faza e dytë e masave lehtësuese ndaj COVID-19.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti sot përmes një konference për media ka njoftuar që përveç trenave nga e hëna do të lëshohen në qarkullim edhe autobusët e trafikut urban e ndër urban.

“Nga e hëna do të rihapen këto biznese, floktaret dhe sallonet e ondulimit, floktarët, stomatologët dhe fizioterapeutet, tregtaret me pakicë dhe tregu i gjelbër, gastronomia (merre me vete), transporti hekurudhor, transporti urban dhe ndër urban, qendrat e e thirrjeve telefonike me lista te stafit esencial si dhe hapja e galerive dhe muzeve”, tha Kurti në konferencë për media