Ilustrim

Nga buxheti i ndarë për shtesat e zjarrfikësve iu dhanë edhe atyre që nuk janë zjarrfikës

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave (AME) nga buxheti i ndarë për shtesa për zjarrfikës nga kategoria paga dhe mëditje kishte bërë kompensimin e gjithë stafit në mënyrë proporcionale përfshirë edhe stafin që nuk janë zjarrfikës.

Sipas raportit për vitin 2020 të Ministrisë së Punëve të Brendshme, vlera e paguar për stafin që nuk janë zjarrfikës ishte 107 mijë 856 euro.

Sipas Auditorit, për këtë vlerë nuk është ofruar ndonjë dëshmi që e arsyeton shpenzimin e ndodhur për mbajtjen e orëve shtesë, punën në ndërrimin e natës apo punën gjatë festave.

“Mjetet në vlerë 179,424€, të ndara me buxhet për zjarrfikësit për pagesën e orëve shtesë, ndërrimeve të natës dhe festave, ishin shpërndarë me aprovim të Drejtorit të AME-së dhe ZKF-së në mënyrë proporcionale për të gjithë stafin e AME-së (71 zjarrfikës dhe 107 staf tjetër). Si rrjedhojë i gjithë stafi kishte përfituar kompensim në vlerë 960€ (bruto) në pagën e muajit mars të vitit 2020. Shuma e kompensimit për stafin që nuk janë zjarrfikës përfshirë edhe kontributin e punëdhënësit ishte 107,856€”, thuhet në raport.

ZKA ka vlerësuar se kjo ka ndodhur për shkak të analizave të pamjaftueshme për ta shpenzuar buxhetin e ndarë në përputhje me qëllimin e dedikuar.

E sipas raportit, devijimi i shpenzimeve nga qëllimi i dedikuar ka ndikuar në shpenzimin joracional të buxhetit.

“Ministri dhe Drejtori i AME-së duhet të marrin masa për të siguruar kthimin e mjeteve të paguara për stafin që nuk janë zjarrfikës dhe të sigurojë që mos të ndodhin në të ardhmen pagesa që nuk janë në pajtim me legjislacionin në fuqi”, ka rekomanduar Zyra e Auditorit.

KALLXO.com në muajin qershor kishte publikuar reportazhin mbi gjendjen e mjerueshme të zjarrfikësve të Kosovës.

Në këtë reportazh janë zbuluar parregullsi dhe mungesa në furnizimin e zjarrfikësve me pajisje normale të punës.

Kriza në emergjenca – LIVE