Nga bixhozi në fajde, Prokuroria në Prizren jep detaje për arrestimin e një të dyshuari
Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë arrestuar të pandehurin F. Sh., i dyshuar për veprat penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” dhe “Fajdeja”.
Sipas Prokurorisë, i pandehuri i arrestuar, nga muaji shtator i vitit 2023 dhe në vazhdimësi, deri në datën e arrestimit ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të personit të dëmtuar, varfërinë dhe papërvojën e tij.
Prokuroria tha se i dëmtuari – viktima, A. Z., nuk kishte pasur mundësi t’ia kthejë një borxh në shumën prej 70 mijë euro, të cilin borxh i detyrohej të pandehurit F. Sh., pasi që ky i fundit gjatë muajit janar të vitit 2024, përmes një programi elektronik të lojërave të fatit, i kishte mundësuar të dëmtuarit të luaj bixhoz të paligjshëm.
I pandehuri, sipas njoftimi, në momentin kur viktima kishte hasur në vështirësi që t’ia paguajë borxhin, kishte arritur ta bindë atë që në emrin e tij do të angazhohet dhe t’ia sigurojë paratë, në mënyrë që t’ia krijojë kushtet të njëjtit për kthimin e borxhit.
“Në këtë rast i pandehuri i arrestuar, i ofron viktimës para me fajde – me kamata të paligjshme fillimisht prej 15% pastaj 20% e deri në 25%, kështu duke i shkaktuar viktimës dëm të konsiderueshëm pasuror, i cili nuk kishte arritur t’ia paguajë shumën e mbetur të kamatës, gjegjësisht totalin e kamatës nga të gjitha huazimet e të hollave me fajde, që nga periudha e muajit shtator të vitit 2023, e cila kap vlerën e përgjithshme prej 81,400.00 euro” – tha Prokuroria.
Tutje u shtua se i pandehuri është arrestuar në flagrancë nga ana e Policisë së Kosovës duke pranuar të holla nga viktima në emër të kamatave të paligjshme me të cilat e kishte ngarkuar të njëjtin.
I arrestuari tashmë gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh dhe për të njëjtin Prokuroria ka parashtruar kërkesë për caktim të masës së paraburgimit.