Nga bari, në mësimdhënës, tregon historinë e tij emocionuese 91-vjeçari (VIDEO)

26 vjet pas pensionimit si mësimdhënës, Daut Islami, e kujton me mall kohën kur dha dije për nxënësit e tij.

Islami filloi të ushtronte këtë profesion në një mënyrë paksa të çuditshme, pak kohë pas Luftës së Dytë Botërorë dhe një nga arsyet ishte lufta kundër analfabetizmit në vend. Por jo vetëm kjo. Ai ishte një bari.

Si bari, në vitin 1945, papritmas i erdhi një abetare dhe filloi të mësoj shkrim-lexim.

“Desha të lidhem me një histori shumë të lartë, shumë të hershme. Në vitet 1943-1944, isha bari duke ruajtur delet në malet e Sharrit dhe neve barinjtë ishim nëpër shpatina të ndryshme duke i ruajtur kopetë. Në muajin korrik – gusht na erdh një ekip nga aradha partizane e Sharrit, nëpërmes të cilëve vetë Fadil Hoxha na i ka dërguar disa abetare”, thotë ai.

Veterani i arsimit që sapo ka mbushur 91 vjet, thotë se brenda një muaji mësoi 36 shkronjat e alfabetit, kurse në vitin 1946 filloi të shkojë në shkollë, kur ishte 16 vjeçar.

Ai e mban mend shumë mirë se në klasë kanë qenë 31 nxënës dhe prej tyre vetëm 4 vajza.

“Me të kryer shkollën e ciklit të ulët, kam vazhduar në Kaçanik me një shkollë dy vjeçare adminsitrative dhe kam filluar prej vitit 1949 deri me 1951, dhe kam dokumente që kam qenë aty. Ndërkohë, në vitin 1948-49 u hapën kurset analfabetike që ishte me moton “Këshilli Krahinor me Ligj i hapi kurset analfabetike që u quajtën luftë kundër analfabetizimit në atë kohë’”, thotë ai më tej.

Hapat e parë drejt profesionit të mësimdhënësit, Islami thotë se i filloi për t’i ndihmuar dy ish-mësimdhënësit e tij.

“Mësuesi Hasan dhe Qemajl Raktoceri ishin ngarkuar tepër në do lagje, në çdo fshat, në Brod, Firajë Kashtajevë, me shku në ato kurse me i mbajte mësim, kurse unë si më i mësuari në shkrim-lexim, më angazhuan në një shtëpi të Shaban Hasanit, një shtëpi e madhe. Aty veç pleqtë me mjekra nuk kanë qenë, kurse të rinjtë deri 20 vjet e përpjetë, unë i kam mbajt kurset gjatë natës”, tregon Islami.

Ish-mësimdhënësi edhe pse i shtyrë në moshë mban mend mjaftë mirë detajet se si dukej klasa që dha mësim.

“Një send që ata analfabet që ishin tubuar aty, kishin nga një stol (shkam) tre këmbësh rend me rend edhe një dërrasë e kishin përpara, një abetare për të rritur dhe një fletore, e unë tek secili nxënës, shkoja edhe duke ushtruat në shkrim lexim, sepse mësuesit ishin shumë të ngarkuar dhe mua më angazhuan si nxënës i shkëlqyer”, rrëfen ai me emocione.

Islami thotë se edhe pse shërbimi ushtarak e ndau nga rruga për mësimdhënës për disa muaj, pas kthimit në vendlindje filloi zyrtarisht punën e tij si mësimdhënës në fshatin Firajë.

“Jam ndje edhe aq më mirë edhe në vendet jabanxhi (të huaj), nuk kam pasur asnjë dallim pse erdha në vendlindje e më tepër të jap arsimit ose fëmijëve shkollim, dijeni dhe shkrim lexim. Njëjtë, por këtu kisha një kënaqësi sepse të gjithë ishin fëmijët e familjes time, komshinjve, e lagjeve të tjera edhe për merak, lumturi kisha”, thotë veterani i arsimit.

Tutje, ai kujton edhe kohën kur mësimdhënia nuk ishte edhe aq e lehtë që të zhvillohej në gjuhën shqipe ndër vite, kryesisht në vitet e ’90-ta.

“Është dashur t’i mbyllim perdet edhe në terr me qendru me llampa, që kur të shkojnë policia për lagje, që mos të na hetojnë që jemi brenda duke mbajtur orë në ato kushte”, thotë ai.

Ish-mësuesi nga Firaja ishte munduar që secilit nxënës t’i krijojë kushte për mësim-nxënie.

“Secili fëmijë, a e kishte një fletore e një laps apo jo, mandej ka ndodhur që në klasë gjysma e klasës, ka pasur lapsa edhe fletore, gjysma jo. Ka ndodhur që prej një nxënësi e kam pre lapsin 3-4 copa dhe ja kam shpërnda fëmijëve të tjerë edhe kanë mësuar shkrim- lexim”, thotë Islami për KALLXO.com.

Në fund, Islami me shumë krenari theksoi se me vetë-iniciativë ua ka siguruar librin e abetares shumë nxënësve të fshatrave përreth.

“Mjetet e tjera në një kohë i kam furnizuar në shkollat fillore nëpërmjet kioskave të Rilindjes së atëhershme sepse kam pasur marrëdhënie me pallatin e Rilindjes që punoja si gazetar…dhe i kam siguruar tekstet shkollore krejt”, tha ai më tej.