Nga afër 3,000 rastet e 24 orëve të fundit, mbi 900 të infektuar me coronavirus janë të moshave 10-19-vjeç

Brenda 24 orëve në nivel vendi janë regjistruar 2 mijë e 957 raste pozitive me COVID-19 nga 11 mijë e 913 testime të bëra nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

Në rubrikën për grupmoshat e të infektuarve me coronavirus shihet se 918 persona të infektuar me COVID-19 në Kosovë janë të moshës 10 deri në 19 vjeç ndërsa 501 persona të infektuar janë të moshës 40 deri 49 vjeç.

Sa u përket komunave, Prishtina është komuna me më së shumti raste pozitive në nivel vendi, 953 prej tyre janë shënuar vetëm gjatë 24 orëve të fundit. Pas kryeqytetit vjen Peja me 349 raste.

Edhe për nga rastet aktive kryeqytetit prin me mbi 6 mijë e 500 raste si dhe Mitrovica e Jugut me 1 mijë e 400 raste.

Që nga fillimi i pandemisë e deri më tani MSh nuk ka pasur të dhëna se sa raste aktive janë në Mitrovicën e Veriut apo në komuna me shumicë serbe.

Sipas infektimeve brenda 24 orëshit të fundit, mbi 1 mijë e 600 të të infektuarve i përkasin gjinisë femërore ndërsa mbi 1 mijë e 200 gjinisë mashkullore.

Shumica e të infektuarve gjatë javëve të fundit janë me Omicron, thonë nga Departamenti i Mikrobiologjisë të Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

Varianti i ri Omicron është cilësuar nga ekspertët e shëndetësisë si njëri ndër variantet më të përhapura të infeksionit COVID-19 deri më tani në nivel global.

“Karakteristikë e gripit është se infektueshmëria është shumë më e shpejtë me Omicron, tre minuta me qenë në kontakt me njeriun e sëmurë, nëse nuk ke masa mbrojtëse, infektohesh, te Delta  duhet me qenë 15 minuta në kontakt me personin e sëmurë”, pati sqaruar infektologu, Zenel Shatri për KALLXO.com.

Hospitalizimet

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar në Kosovë për më tepër se një vit është duke trajtuar pacient të infektuar me coronavirus.

Herë me shifër të lartë të të hospitalizuarve e herë me shifër të ulër janë ballafaqur këto klinika e spitale.

Nga raporti 24 orësh i ShSKUK thuhet se katër pacientë janë të shtrirë në Mjekimin Intensiv të Klinikës Infektive përderisa 49 pacientë janë duke u asistuar me oksigjeno – terapi.

18 gra janë të shtrira në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike, përderisa shtatë pacientë trajtim mjekësore janë duke marrë në Klinikën e Pediatrisë.

Sa i përketë trajtimit mjekësor post-COVID, në raport thuhet se në Klinikën e Pulmologjisë janë duke u trajtuar 30 pacientë, të cilët kanë simptoma të coronavirusit edhe pse kanë rezultuar negativë pas kryerjes së testit.