Nga A deri në ZH, si u trajtua Astrit Dehari dhe rasti i tij nga shteti?

Tre vite pas vdekjes së mistershme të aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, kanë filluar hetime pasi një ekspertizë nga Zvicra vuri dyshime për vrasje në rastin që në Kosovë ishte cilësuar si vetëvrasje.

Kreshnik Gashi, autor i emisionit “Drejtësia në Kosovë”, ka rikapituluar të gjithë ngjarjen që lidhet me Deharin, që nga koha kur u arrestua deri në vdekjen e tij në Qendrën e Paraburgimit e në konkluzionet konfuze në lidhje me vdekjen.

Në emisionin “Jeta në Kosovë” tha se pikëpyetja e parë duhet të vendoset nëse Dehari do të duhet të kishte qenë në burg ku edhe gjeti vdekjen.

“Problemin e parë të cilin e identifikojmë në këtë punë, fakti që është caktuar paraburgimi për pesë persona të cilët janë dyshuar për terrorizëm e të cilët pas vdekjes së Astrit Deharit, katër prej tyre janë liruar në procedurë të rregullt, disa javë pas këtij incidenti të cilët në asnjë rast nuk kanë tregu që janë të rrezikshëm për vendin dhe ri përsërisin veprën penale, pra në esencë arsyeshmëria e caktimit të paraburgimit të tyre ka qenë e pa arsyetume dhe e pa bazë për shkak se nuk kemi pasur reaksion tjetër prej të dyshuarve tjetër”, tha Gashi.

Ai vazhdoi duke përmendur ato që i quajti shkelje sistematike.

“Po ta kishim gjyku me kompetencë kërkesën e prokurorisë, kur ti kishim trajtu rrethanat dhe ta kishim luajt rolin e mirë të gjykatës së procedurës paraprake në mbikëqyrjen e personave të paraburgosur, sigurisht nuk e kishim pasur këtë efekt në fund. Pse po e them këtë është se gjyqtari i procedurës paraprake tashmë është konstatuar se ka bërë shkelje gjatë procedurës vet kur ka caktuar paraburgimin, për shkak se pas dy jave e ka pushu atë efekt, e po ashtu ka leju vizitat të cilat nuk kanë qenë të lejuara sipas ligjit brenda qelisë burgut, gjë që ka qenë e ndaluar”, tha Gashi.

Ai shtoi se ” problemi më i madh ka qenë të deklarata e këtij gjyqtari i cili ka thënë se unë lëshoj me qindra urdhëresa të tilla dhe nuk di të kujt janë dhe kënd e lëshoj mi vizitu të paraburgosurit”.

Parregullsi sipas Gashit pati edhe tek mbledhja e provave pas vdekjes së Deharit më 5 nëntor të vitit 2016.

“..Defekte në atë se qysh janë mbledhur provat në vendin e ngjarjes dhe qysh janë mbledh provat në rrugë e sipër. E para në Qendrën Korrektuese personi i vdekur tashmë Astrit Dehari ka vendosur mos me dal prej dhomës së tij.  Megjithatë sipas protokolleve që janë konstatuar tek Qendra e Paraburgimit është se nëse një person vendos me qëndru brenda qelisë së vet, atëherë gardianët e burgut duhet me shku me vizitu disa herë brenda qelisë ku është i vetmuar, gjë që në raporte tregohet që nuk është vizitu asnjëherë, bile bile derën e ka hapur shoku i tij i dhomës i cili tani është i ndjerë”, shpjegon Gashi.

Deklaratat e para publike për shkaqet e vdekjes së Deharit, ishin shqetësuese sipas gazetarit Gashi.

“Kemi edhe nisjen e atij planit të shpalljes së këtij rasti si rast i vetëvrasjes, për shkak se në minutat e para kemi pasur deklaratat publike që po ka ndodh incidenti dhe dyshojmë që i burgosuri ka pirë ilaçe. Deklarata ka një shpjegim në prapavijë, deklarata në publik është thënë prej komandantit regjional Nexhmi Krasniqi është thënë në KALLXO.com, ai e ka thënë tu citu zyrtarë teknikë të burgut, mjekët të burgut të cilët e kanë njoftuar si zyrtarë kompetentë që personi dyshohet se ka pirë ilaçe”, tha ai.

Sipas tij kjo ka shënuar edhe pikënisjen e parë për me ngrit opinion tezën e vetëvrasjes në mënyrë që me përgatit opinioni kjo nuk mundet me qenë diçka kriminale por është vetëvrasje.

Megjithatë më vonë ai kujton se e kanë demantuar në orët e para këtë lajm. E ka demantuar vetë policia, vetë prokuroria.

“Ajo çka është problem në këtë rast është fakti që kërkush sot nuk është i suspenduar, askush s’është larguar nga puna, kërkush i thirrur në përgjegjësi për këtë informacion i cili ka qenë i pavërtetë dhe është thënë në momentet e para.Nexhmi Krasniqi është shef i policisë kufitare në regjionin e Prizrenit. Me ardhjen e drejtorit të ri disa pozita janë cilësuar si degradime sepse komandant regjional është pozitë me lartë se shef i kufirit. Megjithatë gradat dhe paga janë të njëjta dhe përgjegjësitë policore”, konstaton Gashi.

Ai theksoi edhe disa elemente të dyshimta që sipas tij janë tek raporti vendor i përpiluar lidhur me shkaqet e vdekjes së Deharit.

“Ekspertët zviceran përmendin raportin e mjekësisë ligjore, i cili sipas tyre taksitavisht i përmend se rasti është vetëvrasje dhe cila del prej një raporti që instituti i mjekësisë ligjore e ka dorëzu në Prokurinë e Shtetit, i cili ka disa numra në faqen e tij të fundit. Në anën tjetër në publik është tu qarkullu edhe një raport tjetër, i cili tregon se nuk ka numra në këtë rast.Dy raporte të mjekësisë ligjore, i pari aludon në numra i dyti nuk aludon në numra dhe e përjashton tezën e vetëvrasjes”, thotë Gashi.

Sipas tij numrat janë shumë të rëndësishëm sepse nëse lexohet pika 3, vërehet se mjeko-ligjor aludojnë në pikën 1 dhe 2 ku konstatohet se ka vetëvrasje, ndërsa na raportin pa numra aludimi në pikën 1 dhe 2 i referohet vetëm prerjeve dhe gërvishtjeve të cilat kanë qenë në qafë të personit të vdekur.

“…kjo është një gjë e cila duhet hetuar bukur thellë, për shkak se i kemi dy raporte që kanë dy parë nënshkrime dhe që në biseda mjeko-ligjor kanë thënë që nuk kanë qit fare numra në raportin e tyre, mbetet me u hetu dhe kush e ka qit numrat në këtë raport”.

Ekspertët  e Institutit Zviceran po ashtu kanë ngritur tezën pse në orën e Astrit Deharit nuk është marrë ADN-ja.

Ai përmend edhe ” problemin e madh që thonjtë të cilët shënohen në zarf se janë marrë prej Astrit Deharit, janë zhdukur, s’kanë shkuar në Zvicër hiq… Janë futur paketat po aty s’janë, dikush i ka zhdukur.

Ai thekson edhe se cimerët e Astrit Deharit janë ekzaminuar në trupin e tyre për lëndime 12 ditë masi është kryer akti.

“Raporti po ashtu konstaton se nuk ka asnjë fotografi dhe asnjë video material prej momentit kur A.Dehari dërgohet në spitalin e Prizrenit dhe trajtimit që ju ka bërë atje dhe cka është shumë më e rëndësishme e edhe ndërrimi i deklaratave të dëshmitareve prej anës së tyre.Në njërin prej raporteve kam lexuar që dëshmitari i parë ose ai cimeri i parë që e ka takuar Astrit Deharin, i ka ndrru deklaratat e tij ose ka shpreh një lloj frike për me tregu që ka qenë e vërtetë”, deklaroi Gashi.

Ai shtoi se “Nëse i analizojmë deklaratat e tyre, kanë qenë përafërsisht të njëjta, shtu këtu faktit që ka vdekur dëshmitari i parë i cili ka vdekur gjashtë muaj pas këtij rasti, prej një diagonze e cila nuk është përcaktuar se cila ka qenë kjo diagnozë”.

As mediat nuk janë të pastra në listën e fajeve te rasti i Astrit Deharit, sipas Gashit.

“Kemi vazhdu në shtimin e asaj që mundemi me quajt vrasje mediale, me publikimin e e videove materiale që janë publikuar në një kohë kur hetimet kanë qenë në ditët e para të tyre dhe këto video materiale kanë konstatuar në publik dhe opinion se krejt presioni publik dhe i shoqërisë civile për mënyrën qysh ka ndodh është fars dhe qe videot që filmimet dhe tregojnë që s’ka pasur asgjë, është clean dhe është vetëvrasje”, tha Gashi.

Ai tha se dikush brenda sistemit ka pasur qëllim që mediat mi fry kësaj kauze, sepse dikush i ka marrë filmimet ja ka vendosur disa gazetarëve dhe ata i kanë publikuar.

“Nëse ka për qëllim media me zbardh të vërtetën definitivisht mundet me i rezistu, kam filmime që kanë pritur me vite të tëra mu publiku sepse kemi pasur qëllim që kryesit e veprës me nxënë dhe jo veç me mbush miza publikun”, theksoi ai.

Ai tha se videot mund të kenë qenë edhe orientim i dëshmitarëve.

Historiku i vdekjes së Astrit Deharit

Astrit Dehari, ishte gjetur i vdekur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren në fillim të nëntorit të vitit 2016.

Ai po mbahej në paraburgim në lidhje me dyshimet për sulmin i cili kishte ndodhur në gusht të vitit 2016, ndaj Kuvendit të Kosovës.

Tre muaj pas këtij sulmi në qendrën e Paraburgimit në Prizren, në rrethana të paqarta kishte vdekur 26 vjeçari Astrit Dehari.

Deklaratat e para pas vdekjes së Deharit ishin se i njëjti kishte përdorur medikamente dhe kishte vrarë veten, ndërsa më pas deklaratat ndryshuan në atë se i njëjti kishte probleme me frymëmarrje.

Dy vjet më pas, vdekja e Deharit ende ka mbetur mister edhe pse në fillim dolën disa versione se Astrit Dehari i kishte marrë jetën vetes.

Prindërit e Deharit së bashku me subjektin politik të cilës i takonte djali i tyre Astriti, kanë ngritur gjatë gjithë kohës pikëpyetje duke e drejtuar gishtin pushtetit, madje duke e quajtur vdekjen e Astritit edhe si vrasje.

Për t`i qartësuar rrethanat e vdekjes së Astritit, prindërit dhe avokati Tomë Gashi kërkuan ekspertizë nga Instituti i Qendrës Universitare të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës.