Nga 52 qytetarë të infektuar nga Vitia, 7 janë shëruar

Komuna e Vitisë është njëra nga komunat më të prekura nga virusi Covid-19.

Për menaxhimin e situatës së krijuar në këtë komunë, Komiteti Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim (KKMSH), ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt  për të diskutuar rreth gjendjes dhe masave të ndërmarra në këtë komunë.

Sipas njoftimit të Komunës së Vitisë, në këtë takim është bërë e ditur se deri me tani numri i të infektuarave në komunën e Vitisë ka shkuar në 52 raste ndërkaq 7 prej tyre janë shëruar.

Ndërkaq sipas Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), mbrëmë kanë rezultuar pozitiv edhe 3 persona nga fshati Ramjan i Vitisë.

Gjatë këtij takimi, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka thënë se komuna po vazhdon me masat parandaluese për mos përhapjen e këtij virusi si dezinfektime dhe klorifikime por edhe po kujdeset për sigurimin pakove higjienike dhe ushqimore për qytetarët në nevojë.

Haliti poashtu ka kërkuar nga KKMSH që të mbahet kontakti me familjarët e të prekurave me COVID-19 dhe të shikohen nevojat e tyre.

`Ndërkaq Komandanti i Stacionit Policor në Viti, Kapiten Afrim Halili, potencoi se ata po bashkëpunojnë ngushtë me inspekcionin komunal për të shikuar se a po respektohen rregullat gjatë kohës së pandemisë nga bizneset që veprojnë në Viti`,thuhet në njoftimin e Komunës së Vitisë.

Në këtë takim mori pjesë edhe drejtoresha e QKMF-së në Viti, Vjollca Kadolli-Halili  e cila ka bërë të ditur se 130 qytetarë të kësaj komune janë në mbikëqyrje .

Sipas saj personat e infektuar janë 13 me vendbanim në Viti, 12 në  Stubëll , 6 në Skifteraj,  6 në Pozheran , 11 në Ramjan, 3 në  Goshicë  dhe 3 në Smirë

` KKMSH në Viti, kërkon nga qytetarët që të mbajnë distancën sociale dhe të respektojnë udhëzimet e ekspertëve`, thuhet në njoftimin e Komunës së Vitisë.