Ceremonia për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike Kosovë-Izrael, Foto: KALLXO.com

Nga 5 maji kosovarët mund të udhëtojnë pa viza në Izrael

Është ratifikuar Marrëveshja mes Kosovës dhe Izraelit për heqjen e vizave.

Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv ka bërë të ditur se ratifikimi i kësaj Marrëveshjeje u bë pikërisht në 4-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

“Që nga 05.05.2025, qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë në Izrael si turistë pa pasur nevojë për vizë.” – ka shkruar Tamar Ziv në “X”, më 05.02.2025.

 Më 18.06.2024, Kosova dhe Izraeli kishin nënshkruar Marrëveshjen që ua mundëson shtetasve të Kosovës të lëvizin pa viza në Izrael.

“Kjo Marrëveshje që nënshkruam dhe ky Vendim për heqjen e vizave për qytetarët e dy vendeve tona do të hapë një kapitull të ri në promovimin e vendit tonë, bashkëpunimin dhe zhvillimin ekonomik, zhvillimin arsimor të të rinjve, si dhe realizimin e projekteve dhe iniciativave të përbashkëta mes qytetarëve dhe vendeve tona në të ardhmen.” – kishte deklaruar Gërvalla.

Dy shtetet zyrtarizuan marrëdhëniet diplomatike në shkurt të vitit 2021.

Atyre iu parapriu Marrëveshja e Uashingtonit, të cilën Kosova dhe Serbia e nënshkruan më 04.09.2020, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve ekonomike.

Dokumenti që u nënshkrua ndarazi parashihte që Kosova të hapte Ambasadën e saj në Jerusalem, ndërsa Serbia të lëvizte Ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem.

Kosova hapi Ambasadën e saj në Jerusalem në korrik të vitit 2021, në këmbim të njohjes së pavarësisë së saj nga Izraeli.

Nga 01.01.2024, qytetarët e Kosovës nisën lëvizjen e lirë në 27 shtetet e zonës Schengen me pasaporta biometrike, me kushtin që të qëndrojnë deri në 90 ditë, brenda gjashtë muajsh. Më 06.01.2025, këtyre shteteve iu bashkua Spanja, për t’u pasuar më vonë edhe nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Lëvizja e lirë është mundësuar edhe në Tajvan. Së fundmi edhe Armenia – shtet jonjohës – e ka njohur pasaportën kosovare.