Nga 28 qershori deri më 7 korrik organizohen "Ditët e energjisë së gjelbër 2021"

Nga data 28 qershor deri më 7 korrik do të organizohen “Ditët e energjisë së gjelbër 2021”, një iniciativë që është pjesë e projektit “Evropianizimi i agjendës mjedisore të Kosovës”, i financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, BIRN Kosova, CEE Bankwatch, ERA Group dhe TV Mreza.

Projekti “Europianizimi i agjendës mjedisore të Kosovës” mbështet pjesëmarrjen proaktive të shoqërisë civile në Kosovë, mediave dhe aktivistëve mjedisorë në reformën e politikave dhe vendimmarrjen në lidhje me energjinë, mjedisin dhe shëndetin publik.

Qëllimi i projektit është të ndihmojë Kosovën për t’i sjellë politikat mjedisore më afër legjislacionit të BE-së dhe për të forcuar dialogun midis organizatave të shoqërisë civile, mediave, aktivistëve dhe sektorit publik.

BIRN Kosova, CEE Bankwatch, ERA Group dhe TV Mreza do të përdorin ekspertizën e tyre në zbatimin e iniciativave me ndikim në efiçencën e energjisë, burimet e ripërtërishme dhe mjedisin, njohuritë dhe pajtueshmërinë me mjedisin, për të ndikuar pozitivisht në rritjen e ndërgjegjësimit në mesin e qytetarëve, vendimmarrësve dhe krijuesve të politikave të energjisë dhe atyre mjedisore.

Ngjarja 10-ditore përfshin një sërë aktivitetesh që do të bashkojnë akterët lokalë, rajonalë dhe ndërkombëtarë për të folur rreth mjedisit, efiçencës së energjisë, progresit të Kosovës në përafrimin e legjislacionit të saj me legjislacionin e BE-së dhe çështje të tjera të ngutshme dhe të ndërlidhura me të cilat përballet Ballkani Perëndimor.

“Ditët e energjisë së gjelbër” gjithashtu do të bashkojnë të rinjtë nga shkollat e mesme dhe universitetet në dy takime dialogu me palët kryesore të interesit për të rritur ndërgjegjësimin lidhur me çështjet mjedisore të ngutshme në komunitetet e tyre, për të mësuar rreth avokimit përkatës dhe mjeteve dhe mekanizmave gazetareskë për të adresuar shqetësimet e tyre mjedisore në një mënyrë kuptimplote dhe praktikat më të mira aktuale të efiçencës së energjisë dhe mjedisit.

Përmes një konference lokale më 28 qershor akterët lokalë të interesit, organizatat e shoqërisë civile dhe aktivistët do të flasin për efiçencën e energjisë, burimet e ripërtërishme të energjisë dhe alternativat, synimet që Kosova duhet t’i përmbushë dhe rekomandimet për të marrë parasysh drejt efiçiencës së energjisë.

Mbi 30 organizata të shoqërisë civile, aktivistë mjedisorë dhe përfaqësues të mediave nga vendet e Ballkanit Perëndimor do të bashkohen në një konferencë rajonale online për të diskutuar praktikat më të mira, për të ndarë përvojat dhe për të identifikuar fushat e bashkëpunimit për çështjet e energjisë. Do të diskutohen praktikat, sfidat dhe problemet me të cilat përballen secili prej vendeve të rajonit  për të gjetur zgjidhje të përbashkëta dhe mënyra për t’i adresuar ato, të cilat do të detajohen në dokumentet e rekomandimeve të krijuara nga pjesëmarrësit.

Më 5 korrik, në “Ditët e energjisë së gjelbër 2021” do të diskutohen synimet e Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane për të cilat aspiron Kosova, duke sjellë së bashku përfaqësuesit lokalë, rajonalë dhe ndërkombëtarë nga organizatat e shoqërisë civile dhe institucionet, gazetarët mjedisorë dhe përfaqësuesit e mediave përmes një konference ndërkombëtare të nivelit të lartë. Ata do të diskutojnë se si të arrihet efiçienca e energjisë, zhvillimi i qëndrueshëm dhe shëndeti i qëndrueshëm publik, si dhe praktikat më të mira dhe sfidat globale që lidhen me energjinë dhe mjedisin.

Në Pejë, partnerët do të mobilizojnë të rinjtë në një aksion rrugor, përkatësisht një turne me biçikleta nëpër qytet, për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me ndotjen e mjedisit, ndotjen e ajrit dhe degradimin që automjetet i shkaktojnë mjedisit në tërësi.

Një ceremoni çmimesh do të përfundojë ngjarjen, duke shpërblyer storjet më të mira gazetareske mbi temat e efiçiencës së energjisë, mbrojtjen e mjedisit, ndryshimin e klimës dhe efektet e mjedisit në shëndetin e njeriut.

Kjo është gara e dytë dhe e fundit e aksionit, e cila shënon fundin e “Ditëve të energjisë së gjelbër” për vitin 2021.

Gjatë ngjarjes “Ditët e energjisë së gjelbër 2021” do të transmetohen njoftime të rëndësishme të shërbimit publik, do të bëhet promovimi i të rinjve dhe fushatat e ndërgjegjësimit nga platforma rinore e BIRN-it dhe partnerët, do të ketë debate dhe intervista televizive me akterë të rëndësishëm në fushën e efiçiencës së energjisë dhe mjedisit të pastër në Kosovë, përmes KOSID, kanalet e BIRN Kosova dhe TV Mreza dhe faqet e mediave sociale të të gjithë partnerëve.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.