Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Nga 239 punësime me kontrata mbi vepër, bordi i RTK-së lejoi vetëm për 39 sosh të shpallet konkursi

Bordi i Radio Televizionit të Kosovës ka miratuar propozimin e u.d. Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj për shpalljen e konkurseve për rekrutimin e stafit esencial për RTK 1 dhe RTK 2.

Nga propozimi që të hapet konkurs për 38 punëtorë për RTK 2 që transmetohet në gjuhën serbe u miratuan vetëm 30 pozita.

Kërkesa që ishte për 5 shoferë shtesë në RTK 2, mirëpo bordi votoi vetëm për 3 pozita të tilla.

Kundër çdo vendimi që u miratua nga bordi për RTK 1 dhe RTK 2 ishte anëtarja e bordit Shukrije Rama.

“Në RTK 1 janë miratuar nëntë (9) pozita, gjashtë (6) prej tyre për staf esencial për komunitetet ashkali, egjiptian dhe goran”, thuhet në njoftimin e bordit.

Bordi gjithashtu ka vendosur të fillojë përgatitjet për tenderimin me procedura të rregullta të prokurimit publik për shërbimin mbrojtës dhe sigurimit fizik të pronave dhe hapësirave të RTK-së.

Ndryshe, Ahmetxhekaj më herët kishte njoftuar se paraprakisht do të hiqen 60 për qind e 239 të punësuarve me kontrata për shërbime. E shprehur në numra, nga 239 në më pak se 100, apo rreth 140 të punësuar më pak.

RTK do të ndërpresë rreth 140 nga 239 kontratat mbi vepër, do të shpallë konkurs për 98 pozita

Të gjitha raportimet e KALLXO lidhur me RTK-në mund t`i lexoni në LINK