Nga 21 raportime, Policia hap tri raste për parregullsi në zgjedhje

Policia e Kosovës ka njoftuar se bazuar në informacionet e deritanishme të siguruara nga të gjitha drejtoritë rajonale policore, deri më tani janë  pranuar rreth 21 informacione të ndryshme në lidhje me rundin e dytë të zgjedhjeve që po mbahet sot në 21 komuna të Kosovës.

Policia thekson se informacionet përmbajnë kryesisht raportime rreth; 1 për ndërhyrje në votim, 5 për fotografim të votimit, 1  fjalosje në qendër të votimit, 7 për grumbullim të personave në afërsi të qendrave të votimit, 2 për blerje të votës, 1 për kanosje, 1 për bezdisje të qytetarëve, 1 për falsifikim të dokumentit – bexhit, 1 person i dehur në qendër të votimit dhe për mosmarrëveshje në qendër të votimit, 1 informatë.

Policia tutje thekson se nga këto 21 informacione të trajtuara, me vendim të prokurorëve kompetent deri më tani janë hapur tri raste: 1 rast në Junik – Pejë “Pengim i procesit të votimit”, ku një person i dyshuar është ndaluar për 48 orë, 1 rast po ashtu në Junik – Pejë “Prishje e rendit dhe qetësisë publike”, ku personi i dyshuar është liruar në procedurë të rregullt dhe 1 rast në Vushtrri “Falsifikim i dokumentit”, i cili po ashtu ka vazhduar në procedurë të rregullt.

“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore në mënyrë profesionale karshi qytetarëve dhe vendit. Andaj, Policia e Kosovës, inkurajon të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës dhe njëherit të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor, apo edhe jashtë tyre. Raportoni; Nga telefonia fikse dhe mobile: 192 ose në adresën elektronike [email protected] si dhe në stacionet më të afërta policore”, thuhet në komunikatë.

Sot po mbahet rrethi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë të 21 komunave të Kosovës.

Nga 38 komuna të Kosovës, 21 prej tyre kanë shkuar në balotazh pasi në zgjedhjet e datës 17 tetor kandidatët nuk kishin arritur të marrin mbi 50% të votave, që do u siguronte fitore pa rund të dytë.