Nga 1 prilli i Vitit të Ri në “gënje-prillin”

Nga 1 prilli i Vitit të Ri në 1 prillin e “gënjeshtrave”, kjo është metamorfoza e kësaj date ndër shekuj sepse para se të futej Kalendari Gregorian në prill shënohej fillimiviti, ditë kjo që tashmë i kushtohet “gënje-prillit”.

Zëvendësimi i Kalendarit të vjetër Julian me Kalendarin Gregorian ndryshoi edhe Ditën e Vitit të Ri që të festohet më 1 janar, Franca miratoi kalendarin e reformuar. Por shumë njerëz refuzuan të pranonin datën e re ose nuk mësuan me të dhe vazhduan të festonin Ditën e Vitit të Ri më 1 Prill, duke shkëmbyer dhurata “boshe”. Kjo praktikë e gënjeshtrës e të jetuarit në një kalendar jo funksional u përhap në të gjithë Evropën si dita e “gënjeshtrave” dhe në ditët e sotme manifestohet ndryshe, por nga kjo rrjedhë historike.

Dita e argëtimit kushtuar shakave të gënjeshtrave ka interpretime të ndryshme të origjinës varësisht edhe prej vendeve ku është manifestuar.

Edhe në Kosovë ndikimi erdhi nga Evropa Perëndimore dhe më pas u përhap masivisht.

Sipas sociologut, Avni Rudaku, kjo ditë nuk është manifestuar nga të gjitha kategoritë shoqërore në Kosovë për shkak të sistemit patriarkal.

“Dikur në shoqërinë kosovare, me më të moshuarit, duhej treguar më shumë respekt, rrjedhimisht, më pak gënjeshtra e shaka. Tashmë 1-Prilli bëhet kudo në Kosovë, me këdo dhe pa ndonjë pengesë, madje edhe masmediet lansojnë ndonjë lajm, duke paralajmëruar në fund se, ishte mahi e 1- Prillit”- tha ai për KALLXO.com.

Rudaku potencon se në masivizimin e 1 prillit ka ndikuar komercializmi dhe kapitalizmi në teknologji.

“Komercializmi, konsumi masiv, klikueshmëria e monetarizuar në globalizëm, kapitalizëm e teknologji të avancuar, vetëm i kanë forcuar festat dhe reklamat për to, përfshirë edhe 1-Prillin. Sidoqoftë, kjo ditë nuk është festë zyrtare, pasi shtetet e shoqëritë nuk duan në aspektin etik, ta legjitimojnë qoftë edhe për një ditë, për të gënjyer”- pohon Rudaku.

Po ashtu ai thotë se kjo lindi si nevojë e përqeshjes së atyre që nuk arritën të adaptoheshin me ndryshimin e kalendarit të ri.

“1-Prilli më shumë lindi si nevojë për të përqeshur kundërshtarët që vazhdonin avazin e vjetër kalendarik për vit të ri e festa fetare nga mbështetësit e pushtetit që kishin vendosur për një kalendar të ri. Festa e mahisë mbahet në vende e kultura të ndryshme dhe origjina e saj nuk është krejtësisht e njohur, ndonëse ka lloj-lloj interpretimesh”- tha ai.

Por bazuar në vështrimin e tij sociologjik jep një kënd negativ për mbijetesën e ditës së gënjeshtrave sepse sipas tij gënje-prilli do të shuhej sikur edhe të mos mbërrinte deri në epokën e mediave sociale.

Rreth kësaj dite ka dilema të shumta nëse është e nevojshme të ketë një ditë kushtuar gënjeshtrave pavarësisht që përdoret për argëtim.

Psikologia sociale, Fatime Rrahmani thotë se praktikat kulturore të 1 prillit mund të ndikojnë pozitivisht dhe negativisht në sjelljet kolektive të njerëzve varësisht prej llojeve të shakave që bëhen.

“Ndikimi i Ditës së Gënjeshtrës në sjelljen kolektive varet nga konteksti dhe natyra e gënjeshtrave ose shakave që bëhen. Në disa raste, shakatë dhe gënjeshtrat e padëmshme mund të nxisin lidhjen shoqërore dhe humorin, ndërsa në raste të tjera, ato mund të çojnë në lëndime ose dëmtime të marrëdhënieve. Është e rëndësishme të merret parasysh ndikimi i veprimeve të dikujt tek të tjerët dhe të sigurohet që çdo gënjeshtër apo shaka të bëhet me mirëbesim dhe duke marrë parasysh ndjenjat dhe mirëqenien e të tjerëve”- tha Rrahmani për KALLXO.com.

Sipas saj nuk ka nevojë që të ketë ditë të caktuar për të gënjyer.

“Nuk ka nevojë të qenësishme për të pasur një ditë të caktuar për të gënjyer, por praktikat kulturore si dita e 1 prillit mund të shërbejnë si një mënyrë që njerëzit të përfshihen në shaka dhe shaka të padëmshme me miqtë dhe të dashurit”- pohoi ajo.

Mendimet e qytetarëve për 1 prillin

Ditën e shakave ose gënjeshtrave disa qytetarë e konsiderojnë të nevojshme për shoqërinë por ka të tillë që nuk e pëlqejnë.

Sa i përket mënyrës së manifestimit kanë thënë se zakonisht kalohet me shaka praktike si një traditë e mbetur dhe e vazhdueshme për çdo vit.

Gjokë Sokoli, një qytetar i Kosovës këtë e quan “ditë të mashtrimit” që nuk duhet kushtuar rëndësi.

“Quhet si dita e rrenave dhe nuk duhet dhënë shumë rëndësi në shoqëri. Një ditë e zakonshme mund të jetë ndonjë rrenë në ketë ditë mund të ketë ndonjë mashtrim me batuta. Sipas mendimit tim kjo datë ka karakter negativ në shoqëri sepse konsiderohet si ditë e mashtrimit dhe e rrenave dhe nuk duhet dhënë kurrfarë rëndësie vetëm ditë e zakonshme”- është shprehur ai për KALLXO.com.

Ndërsa Lulzim Logu një qytetar nga Shqipëria thotë se 1 prilli krijon situata komike që nga ana psikologjike e përmirësojnë gjendjen e njerëzve.

“Padyshim sjell motivim, gaz, hare dhe situata komike që nga ana psikologjike e përmirësojnë gjendjen shpirtërore të çdo individi. Pavarësisht se nuk ka karakter zyrtar kjo ditë ka shenjën e vet në popull, mendoj se ndikon pozitivisht si një thyerje e monotonisë së realitetit tonë, shpesh monoton dhe aq stresues, disi njerëzit shkarkojnë stresin dhe mërzinë përmes shakave, aq më tepër kur ato janë tejet miqësore, të sajuara bukur dhe jo denigruese”- ka pohuar Logu për KALLXO.com.

Në rrethin ku ai jeton “gënje-prilli” manifestohet me veprime qesharake në shoqëri dhe familje.

“Dita e 1 prillit rëndom konsiderohet si dita e gënjeshtrave ose rrenave nëse flasim në dialektin tonë. Por mua më shumë më pëlqen ta konsideroj si “dita e shakasë” ashtu siç thirret edhe në shumë vende të botës. me origjinë të largët, ndoshta pagane apo mesjetare. Por gjithsesi ka ardhur deri në ditët tona, akoma e pa zbehur dhe e pranishme gjithmonë në mesin e komunitetit, sidomos të shtresave të thjeshta të tij. Duke marrë një karakter shpotitës, ironizues deri në sarkazëm ditën e 1 prillit, që në mëngjes, kur njerëzit dalin herët dhe “gënjejnë njëri-tjetrin, një veprim qesharak për të argëtuar miqtë, komshinjtë edhe shokët e preferuar”- tregoi ai.

Marigona Tasholli, qytetare nga Kosova tregon se këtë ditë e përdorin për t`u argëtuar në rrethin shoqëror.

“Mendoj që ja vlen ma shumë për argëtim se siç njihet edhe dita gënjeshtrave e shumë familjarë që janë në moshë më të vogël ju pëlqen kjo edhe gjatë gjithë ditës mundohen me gënjye, pra më shumë ka të bëjë me argëtim”- tha ajo.

Për qytetaren e Kosovës, Fjolla Rama, 1 prilli nuk ka efekt as rëndësi kështu që sipas saj nuk nevojitet të manifestohet.

“Nuk mendoj që kjo ditë duhet të manifestohet sepse nuk e shënon asnjë ngjarje historike për ne. Asgjë është si krejt ditët e tjera të zakonshme. Unë nuk e shohë që kjo do të vazhdoj sepse tek e fundit është një datë që ka mbet ma shumë si pjesë humoristike. Nuk e shoh që efekti i saj është efekt negativ apo pozitiv, dmth s’ka efekt e as rëndësi që duhet të ceket”- ka thënë ajo për KALLXO.com.

Për qytetaren, Hisnie Loku, meqenëse  kjo ditë ka të bëjë me gënjeshtrën është e dëmshme.

“Në Kosovë prilli nuk është dite e zakonshme e festave ose manifestimeve të rëndësishme, ashtu edhe nga kuptimi i saj mendoj që s’ka nevoje ta festojmë. Si çdo ditë të zakonshme, jo diçka të veçantë. Ndoshta me kalimin e kohës nuk do t`i jepet rëndësi, por shpresoj që edhe ditëve tjera të zbehet gënjeshtra. Nëse veç përdorim ndonjë shaka për të rritur humorin mund të jetë pozitive, mirëpo publikimi i gjërave të pavërteta, promovimi i lajmeve që kanë si bazë gënjeshtrën këtë ditë mund të jetë i dëmshëm. Besoj më mirë të mësohemi ta kalojmë si ditë pa gënjeshtra”- ka theksuar ajo.