Pamje nga Skenderaj

Nga 1 marsi, e diela ditë pushimi edhe në Skenderaj

Pas Komunës së Mitrovicës dhe Vushtrrisë, dita e diel pritet të jetë ditë pushimi edhe në Komunën e Skenderajt që udhëhiqet nga Bekim Jashari.

Porkomuna ka njoftuar se do të ketë edhe disa përjashtime.

“Përjashtim bëjnë dyqanet ushqimore të cilave u lejohet të punojnë edhe të dielave deri në orën 11:00, kafiteritë , restaurantet, furrat e bukës, sallonet e ondulimit si dhe pikat e shitjes së derivateve të naftës të cilat do të vazhdojnë të punojnë me orar të rregullt siç kanë punuar deri me tani”, thuhet në njoftim.

Për zbatimin e këtij vendimi do të kujdeset Inspektorati i komunës.

“Me këtë rast Komuna e Skenderajt, Inspektorati Komunal, kërkon mirëkuptim nga të gjitha bizneset dhe po ashtu kërkon nga ta që kjo rregullore të respektohet, ndryshe për mos respektimin e kësaj rregulloreje pason gjoba sipas legjislacionit ne fuqi”, thuhet tutje në njoftim.

Komuna e Skenderajt ka dhënë edhe disa arsye se pse dita e diele do të jetë pushim në disa prej bizneseve që operojnë në territorin e kësaj komune.

“Komuna e Skenderajt, me qëllim të zbatimit të Ligjit të Punës, mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve në sektorin privat, nga data 1 mars do të fillojë së zbatuari Rregulloren Komunale mbi orarin e punës në fushën e tregtisë, hotelerisë, zejtarisë dhe shërbimeve tjera”, deklaron komuna e Bekim Jasharit.

“Në bazë të kësaj rregulloreje komunale e diela do të jetë ditë pushimi për shumicën e subjekteve afariste në territorin e komunës tonë”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, sot gjatë ditës, idenë që dita e diele të jetë pushim e ka kundërshtuar kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

Isa Mustafa kundër pushimit të bizneseve ditën diel

www.kallxo.com