Podujeva. Foto: Kallxo.com

Nga 1 marsi dita e diel pushim edhe në Podujevë

Podujeva është komuna e radhës e cila ka vendosur që dita e diel të jetë ditë pushimi për bizneset.

Këtë e ka bërë të ditur vetë Komuna e Podujevës përmes një njoftimi.

“Me rregulloren e miratuar në mbledhjen e Kuvendit të Komunës së Podujevës, më 31.01.2020, është përcaktuar fillimi dhe mbarimi i orarit të punës si dhe ditët e pushimit për të gjitha bizneset që operojnë në Komunën e Podujevës”, thuhet në njoftim.

Kjo rregullore do të hyjë në zbatim nga e diela e parë e muajit mars.

Por për disa biznese do të ketë përjashtime, siç janë sallonet e bukurisë, auto larjet, hotelet,  kafenetë, bizneset për ushqim të shpejtë.

Për zbatimin e rregullores do të  përkujdeset Drejtoria e Inspeksionit.

Ditë më parë, kryetari i Lidhjes Demokratike të  Kosovës, Isa Mustafa kishte kundërshtuar një vendim të tillë.

Podujeva udhëhiqet nga Agim Veliu, tashmë Ministër në Qeverinë e Republikës së Kosovës, nga radhët e LDK-së.

Kjo komunë me 15 mars do të votojë për kryetarin e ri të saj pasi që Veliu është dorëhequr pas marrjes së postit si Ministër i Punëve të Brendshme.

Vushtrria, Juniku, Mitrovica janë komunat të cilat tashmë janë duke e zbatuar vendimin për pushimin e ditës se diel, ndërsa Skenderaj pritet nga 1 marsi.