Lajm i keq për diasporën nga sot kthehen pagesat e sigurimit në kufi

Byroja Kosovare e Sigurimit ka njoftuar se veturat që hyjnë në Kosovë nga data 1 janar duhet të kenë të paguar policën e sigurimit.

“Ju njoftojmë se duke filluar nga data 01.01.2021, Byroja Kosovare e Sigurimit do të aplikojë tarifat e rregullta për sigurimin e detyrueshëm kufitar, të aprovuara nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), me të cilin duhet të pajisen të gjithë drejtuesit e mjeteve motorike me rastin e hyrjes në territorin e Republikës së Kosovës, për mbulimin e përgjegjësisë së tyre në rast të shkaktimit të dëmit ndaj palëve të treta”, thuhet në njoftimin e Byros.

Aplikimi i policës së sigurimit bëhet meqë marrëveshja për mbulimin e policave për automjetet për pasagjerë dhe motoçikleta mes Qeverisë së Kosovës dhe Byrosë Kosovare të Sigurimit ka skaduar më 31.12.2020.

Byroja ka njoftuar se mënyra e pagesës nuk ka ndryshuar.

“Duke nisur nga data 1 janar 2021 aplikohen tarifat e rregullta të aprovuara nga BQK-ja, pra policat nxjerrën dhe paguhen në të gjitha pikat kufitare, ku i ka pikat e saja BKS-ja”, thuhet tutje në njoftim.